Çiftet e pamartuara tashmë do të kenë mundësi të rezervojnë dhoma në hotelet e Arabisë Saudite si pjesë e një sistemi të ri të vizave, i cili është miratuar nga mbretëria me qëndrime konservatore në aspektin fetar.
Më parë, çiftet ishin të detyruara të sjellin dëshmi se janë të martuara para se të mund të rezervonin dhoma në hotelet e këtij shteti.
Ky vendim është marrë me qëllim që të zhvillohet më tepër industria e turizmit.
“Të gjithë qytetarët sauditë duhet të paraqesin kartë identifikimi si dëshmi të marrëdhënies. Kjo nuk kërkohet për turistët e huaj. Të gjitha gratë, përfshirë qytetarët e Arabisë Saudite, mund të qëndrojnë në hotele vetëm, duke e paraqitur dokumentin e identifikimit”, thuhet në një deklaratë të Komisionit për Turizëm dhe Trashëgimi Kombëtare.
E vlerësuar për një kohë të gjatë si një ndër shtetet më të rrepta në botë, Arabia Saudite po përpiqen ta përmirësojnë imazhin në sytë e turistëve dhe investitorëve të huaj.
Princi i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, së fundi i ka bërë disa ndryshime thelbësore në vendin konservator, përfshirë lejimin e grave për të vozitur dhe për të udhëtuar jashtë vendit pa lejen e një kujdestari mashkull, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.




