Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka pritur në një takim në Ambasadë deputetin dhe ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, të cilin e uroi për angazhimin e tij të ri në Kuvend.
Sipas ambasadorit Meidani, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike në vend, funksionimin e institucioneve, përfaqësimin e drejtë të komuniteteve, si dhe rëndësinë e ruajtjes së kohezionit shoqëror në një shtet multietnik.
Meidani theksoi se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 vendosi parimin që çështjet që lidhen me identitetin, gjuhën, kulturën dhe arsimin nuk mund të vendosen mbi një komunitet, por duhet të trajtohen në bashkëpunim me të.
Në vijim shkrimi i plotë i Ambasadorit Meidani:
Kënaqësi të pres në Ambasadë deputetin dhe ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Salih Murat, të cilin e urova për angazhimin e ri në Kuvend. 🤝
Biseduam për zhvillimet politike në vend, funksionimin e institucioneve, përfaqësimin e drejtë të komuniteteve dhe rëndësinë e ruajtjes së kohezionit shoqëror.
Në një shtet multietnik, besimi ndërtohet përmes vendimmarrjes përfshirëse dhe përgjegjësisë së përbashkët. Në vitin 2001, Marrëveshja e Ohrit vendosi një parim të qartë: çështjet që prekin identitetin, gjuhën, kulturën dhe arsimin nuk vendosen mbi një komunitet, por bashkë me të.
Shumica qeveris, por nuk mund të vendosë e vetme për atë që prek drejtpërdrejt tjetrin. Prandaj, Badinteri nuk matet vetëm me numrat në sallë, por me besimin që krijon dhe ruan.
U dakordësuam se, nëse ky mekanizëm anashkalohet, nuk fitohet thjesht një ligj. Humbet një pjesë e besimit që mban bashkë institucionet dhe komunitetet.🚦
I uroj z. Murat punë të mbarë në mandatin e ri. Përvoja e tij juridike është vlerë. 🏛️



