Lojë me data dhe garë me kohë rreth vendimit të qeverisë që kompanisë “Topolki” ti jep me qira mbi 9000 metër/ katror tokë shtetërore për ndërtimin e hidrocentralit. Vendimi qeveritar është marrë më 11 qershor të këtij viti. Është publikuar në Gazetën Zyrtare dhjetë ditë më vonë gjegjësisht më 21 qershor. Por, vetëm pesë ditë më vonë, sipas dokumentit që Alsat e posedon, Ministria e transportit nga Avokatura shtetërore kërkon mendim nëse eventualisht ka pengesa për qira afatgjatë të tokës së kompanisë “Topolki” ku drejtor është Todor Angjushev, vëlla i zv/ kryeministrit Koço Angjushev.
Në bazë të propozim- vendimit dhe propozim- kontratës për qira afatgjate të tokës shtetërore në pronësi të Republikës së Maqedonisë, me kontratë të përafërt, gjegjësisht të prononcoheni nëse ka pengesa juridike për dhënien me qira të tokës shtetërore në këtë lëndë”- thuhet në dokumentin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.
Dokumenti i ministrisë është firmosur nga nëpunësja Aneta Jordanova ndërsa e ka përpunuar Dejan Miteski. Emrat në opinion nuk kanë peshë. Por, vetëm dy ditë pasi kanë dërguar kërkesë që Avokati i shtetit të kontrollojë nëse ka pengesë që vëllezërit Angjushev të marrim me qira tokë, Miteski dhe Jordanova janë arrestuar në rastin “Shkallët spanjolle”. Më 28 qershor, prokuroria dhe policia arrestuan 11 persona, në mesin e tyre edhe dy nëpunësit nga Transporti dhe Lidhjet. Rastësisht apo jo, aksioni ndodh vetëm 48 orë pasi ata kanë kërkuar të verifikohet nëse ka pengesë që “Topolki” të merrë me qira tokë shtetërore. Sipas të dhënave të Regjistrit Qendrorë të kompanisë “Topolki”, drejtor është Todor Angjushev. Nga ana tjetër, “Topolki” është në pronësi të “Hidro Holding” ndërsa bashkë- pronar është edhe kompania “Fero Invest”. Pronarë të “Fero Invest” janë Koço Angjushev, vëllai i tij Todor dhe një person tjetër. Procedurën për marrjen me qira në fshatin Drenovë që familja Angjushev të ndërtojë hidrocentral e shqyrton edhe anti- korrupsioni. Shqyrtohet nëse ka përplasje interesash pasi Todor është drejtor ndërsa Koço Angjushev pjesë e pronarëve të “Topolki” dhe zv/ kryeministër i ekonomisë. Edhe pse rasti është në rrjedhë e sipër, Qeveria nuk priti mendim nga anti- korrupsioni dhe mori vendim ta japë me qira tokën apo 32 parcela me sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 9000 metrave katrorë në zonën e Tikveshit.
Bojan Stojanovski



