Edhe pse që në janar u premtua se shumë shpejtë do të bëhet muri ndarës mes dy rrugëve në pjesën industriale në Tetovë ku çdo vit shënohet nga një viktimë, deri më tani nga ky premtim janë bërë vetëm disa metra themel dhe asgjë më shumë. Ndërsa punimet vonohen, rreziku për kalimtarët shtohet gjithnjë e më shumë.
– Advertisements –
Banorët ankohen se shumë projekte që janë filluar nga komuna e Tetovës, shënojnë vonesa të mëdha.
“Shiko ky mur është i domosdoshëm sepse nuk ka forme tjetër që e ndalon. Vetëm muri do e ndalojë këtë katastrofë që po ndodh. Por organet gjithnjë nisim punë më shumë se sa munden dhe pastaj mbeten mangët”.
“Për fëmijët tonë bisedohet pra, por duhet ta mendojnë këtë ata, sepse ata i kemi zgjedh ne, por këta si duket nuk kanë interesim për popull”.
Nga këshilli protestues i banorëve paralajmërojnë se nëse vazhdohet me neglizhencë të tillë do të aktivizohen protestat.
Ditëve të fundit janë vendosur disa pengesa për zhvillimin e shpejtësisë. Pas kësaj ne presim që menjëherë të fillojë edhe ndarja fizike e rrugës, e nëse nuk fillon, ne do vazhdojmë të protestojmë, gjithnjë duke mbrojtur interesin e qytetarëve dhe fëmijë që çdo ditë e kalojnë rrugën për të shkuar në shkollë – u shpreh Besian Leka, këshilli protestues.
Nga Sektori i veprimtarisë komunale në Tetovë, janë përgjigjur se është në realizim e sipër faza e dytë e shenjëzimit të kësaj rruge, ndërsa sërish premtojnë se pas përfundimit të kësaj faze, do fillojë edhe punimi i ndarjes fizike të rrugëve, që pritet të jetë kah fundi i këtij muaji.
Bashkim Sulejmani



