Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka deklaruar se ka “goditur dhe neutralizuar” dy supertankerë, të cilët i cilësoi si “anije të pabindura”. Njoftimi u publikua përmes një deklarate në kanalin zyrtar të IRGC-së në Telegram.
Sipas deklaratës, dy anijet kishin fikur sistemet e navigimit, kishin shpërfillur paralajmërimet e autoriteteve iraniane gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit dhe kishin tentuar të lundronin në një itinerar që, sipas IRGC-së, ishte i minuara.
Deklarata u publikua pasi dy cisterna nafte të Emirateve të Bashkuara Arabe u goditën nga raketa iraniane në pjesën jugore të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe, cisternat Al-Bahiya dhe Mombasa u goditën ndërsa ndodheshin në ujërat territoriale të Omanit. Si pasojë e sulmit, një anëtar indian i ekuipazhit në bordin e cisternës Mombasa humbi jetën.
Në deklaratën e saj, IRGC nuk i identifikoi me emër anijet që pretendon se goditi, nuk specifikoi flamurin nën të cilin lundronin dhe as nuk dha detaje për kohën e saktë të sulmit.



