Grupi i rezistencës palestineze Hamas ka hedhur poshtë thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për rivendosjen e palestinezëve të Rripit të Gazës në Jordani dhe Egjipt, transmeton Anadolu.
“Populli ynë, i cili ka qëndruar i palëkundur përballë akteve më të tmerrshme të gjenocidit në historinë moderne, të kryera nga ushtria pushtuese fashiste izraelite, refuzon kategorikisht çdo plan për zhvendosje ose dëbimin nga toka e tyre”, tha Hamasi.
Hamasi i bëri thirrje administratës amerikane “të braktisë këto propozime, të cilat përputhen me planet izraelite dhe bien ndesh me të drejtat dhe vullnetin e lirë të popullit tonë”.
Grupi palestinez gjithashtu kërkoi nga administrata amerikane “të punojë për t’i mundësuar popullit palestinez të arrijë lirinë e tij dhe të krijojë shtetin e tij të pavarur me Kudsin si kryeqytet”.
Hamasi gjithashtu i bëri thirrje SHBA-së që të bëjë presion ndaj Izraelit “për të përshpejtuar mekanizmat për rindërtimin e asaj që u shkatërrua gjatë luftës brutale në Gaza dhe për rivendosjen e jetës normale në enklavë”.
Më tej, grupi i bëri thirrje edhe kombeve arabe dhe islame, veçanërisht Jordanisë dhe Egjiptit, “të riafirmojnë qëndrimet e tyre të palëkundura që refuzojnë zhvendosjen dhe dëbimin” dhe të ofrojnë të gjitha format e mbështetjes për popullin palestinez.
Më herët, Trump e përshkroi Gazën si një “vend i rrënuar”, si dhe bëri thirrje që “thjesht të pastrohet” enklava palestineze dhe palestinezët të rivendosen në Jordani dhe Egjipt.
Propozimi erdhi një javë pasi marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi në Gaza, respektivisht më 19 janar, duke ndalur luftës gjenocidale të Izraelit e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 47 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur rreth 111 mijë të tjerë.
Sulmet izraelite kanë lënë mbi 11 mijë palestinezë të tjerë të zhdukur, me një shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve në një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.