Policia e Tetovës, ka njoftuar se kohëve të fundit sërish janë denoncuar vjedhje e biçikletave. Vjedhjet janë ndodhur pranë ndërtesave, në hyrje të tyre, para objekteve fetare, lokaleve hotelerike, por edhe në trotuare, ku pronarët kanë parkuar biçikletat. Sipas policisë, hajnat shfrytëzojnë çdo pakujdesi të pronarëve dhe i marrin biçikletat dhe shpejtë e lëshojnë vendin, kurse më pas i shesin te persona tjerë, të cilët i shfrytëzojnë për nevojat e tyre, duke i ngjyrosur apo duke u ndërruar pajisje që të mos hetohen. “Më atraktiv për hajnat këtë vit janë biçikletat më të shtrenjta, të cilët sillen nga jashtë, por ka raste ku hajnat nuk anashkalojnë edhe biçikleta të vjetra. Prandaj, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, apelon te qytetarët që të kenë kujdes më shumë me biçikletat e tyre, sidomos nëse nuk janë afër tyre dhe nuk i kanë të siguruar apo mbyllur mirë. E njëjta vlen edhe për motoçikletat, sidomos të ashtuquajtur skuterë që të mos i lënë jashtë ndërtesave apo në oborre, sepse shumë lehtë mund të vidhen”, thuhet në apelin e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Nga policia njoftojnë se qytetarët në rast se vërejnë njerëz të dyshimtë pranë ndërtesave apo shtëpive menjëherë të njoftojnë policinë që në kohë të pengojnë vjedhjet. Përndryshe, vitin e kaluar një qytetarë ishte kapur nga kamerat e sigurisë së Xhamisë së Larme, duke kryer aktin e vjedhjes.
Almakos.com

