Grupet parlamentare sot do të mblidhen në takim të rregullt koordinues me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, për të përcaktuar intensitetin e punës së ligjvënësit gjatë kësaj jave.
Akoma është e paqartë nëse do të mund të caktohen seanca gjatë të hënës ose brenda javës. Kuvendi nuk ka zhvilluar asnjë seancë plenare dhe shumë pak seanca të komisioneve gjatë dy javëve të kaluara.
Shumica kanë konfirmuar se koordinohen për të gjetur mekanizma për miratimin e sërishëm të ligjit pasi
opozita ka bërë të qartë se nuk heq dorë nga amendamentet.
Ndryshe, mbi 35 mijë amendamentet e propozuara nga VMRO-DPMNE-ja për ligjin e gjuhëve, e kanë paralizuar punën e Kuvendit. Edhe vetë kryeparlamentari Xhaferi, të njëjtat i ka cilësuar si bllokadë të Kuvendit të Maqedonisë, ndërkaq nga ana tjetër VMRO-DPMNE thirret në atë se ato kanë për synim të arrijnë barazi sociale dhe janë në pajtueshmëri me vërejtjet e kryetarit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

