Ish shefi i Drejtorisë së Pestë në DSK, Goran Grujovski dje u dënua me vetëm 1 vjet e gjashtë muaj burg efektiv, edhe pse arrati dhe i shpallur fajtor për shkatërrim të materialeve zyrtare ku figuronte përgjimi i paligjshëm. Ky dënim i pakët në krahasim me seriozitetin e veprës së tij e cila prek një prej institucioneve më të ndjeshme në shtet, nxiti reagime të shumta në rrjetet sociale.
Shumica e njerëzve bënin krahasime të rasteve banale ku njerëz madje edhe për vjedhje qebapesh janë dërguar në burg për 3 vjet ndërsa Goran Grujovski shpëtoi me dënim prej një viti e gjysmë.
Një prej rasteve më të përfolura në opinionin kur debatohet për drejtësinë selektive, është rasti i një qytetari i cili kishte vjedhur 150 qebapë dy vjet më parë. Banori i Velesit kishte hyrë me forcë në një lokal të qytetit të tij dhe kishte vjedhur qebapë edhe disa qofte por edhe pije alkoolike. Gjykata ia caktoi 3 vjet burg për këtë vepër edhe pse dëmi që ia kishte shkaktuar pronarit nuk kalonte pesëdhjetë euro.
Por, gjithçka bëhej me qëllim që të parandalohen raste të tilla në të ardhmen, gjë që nuk u morr parasysh te Grujovski.
Një qytetar ka shkuar në burg për një vit pasi është kapur duke vjedhur energji elektrike ndërsa një tjetër, edhe atë plakë 63-vjeçe, është dënuar me një vjet burg pasi ka shikuar fatin e njerëzve në kafe dhe ka marrë para për këtë shërbim. Gruaja është dënuar në mungesë dhe menjëherë është dërguar në burg, ende pa hyrë në fuqi vendimi gjyqësor.
Sa për rikujtim, gjashtë shqiptar, prej të cilëve disa ende në vuajtje të dënimit me burg prej tre vjetësh, u dënuan për thyerjen e xhamave të gjykatës me gurë. Verën e vitit 2014, gjykata vendosi që protestuesit kundër vendimit për rastin “Monstra” kanë cënuar një prej institucioneve më të larta dhe më të rëndësishme në shtet. Por kjo nuk u mor parasysh kur u dënuar Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim.
Edhe pse në rastin e Goran Grujovskit gjykatësja Lidija Petrovska tha se ia ka lehtësuar dënimin pasi ai nuk ka dosje penale dhe është njeri familjar, në raste të ndryshme gjatë viteve, për vjedhje të tjegullave me ajvar, për vjedhje të disa trungjeve dru për ngrohje, për shitje ilegale të pemëve dhe perimeve rrugëve të qytetit nuk është marrë parasysh as historiku penal, as gjendja financiare e emotive. /Ferikan Iljazi Arifi

