Lideri i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski, i akuzuar për krim zgjedhor dhe bashkim kriminal shpëtoi nga paraburgimi, por ngeli pa pasaportë, pasi Gjykata e Apelit e ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë që Gruevski të mbetet pa dokumentin e udhëtimit, si preventivë për ikje eventuale nga shteti. Nga paraburgimi shpëtuan edhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Gordana Jankullovska, Mile Janakievski, Martin Protugjer dhe Kirill Bozhinovski. Arsyet për vendimet e tilla do të shpalosen nesër. Meqë nuk ka mundësi ligjore për ankesa të mëtutjeshme, në Gjykatën Supreme tani do të shqyrtohen vetëm paraburgimet që u konfirmuan në Gjykatën e Apelit. Shqyrtimi për paraburgimin e Goran Grujovskit, Nikolla Boshkovskit dhe Toni Jakimovskit ka filluar tashmë, dhe nesër pritet të shpallen vendimet, thonë nga Gjykata Supreme.
GJYKATA SUPREME
“Lidhur me vendimarrjen për ankesat e Prokurorisë Speciale në lëndët ku kërkohet paraburgim. Ju njoftojmë se me gjasë seanca e këshillit do të mbahet nesër”
Ndërkohë, Prokuroria Speciale kërkoi paraburgim edhe për ish ministren e kulturës Elizabeta Kançevska Milevska si e akuzuar e parë në rastin “Tenderët”. Prokurori Gavrill Bubevski vlerëson se në këto momente është e patjetërsueshme ti shqiptohet kjo masë e sigurisë.
GAVRILL BUBEVSKI, PROKUROR I PSP-SË
“Vlerësojmë se ende ka arsye që ndaj dy të akuzuarave që sot ishin në seancë publike të shqiptohet masa më e rreptë. Nuk do të thotë se paraburgimi do të mbetet nëse ndërkohë paraqiten rrethana për shqiptimin e ndonjë mase më të butë”
Por, Kançevska Milevska është e habitur nga kërkesa për paraburgimin e saj pasi tha se gjithmonë është përgjigjur në ftesat e PSP-së dhe pohon se është e pafajshme për veprat që ngarkohen.
ELIZABETA KANÇEVSKA MILEVSKA, E AKUZUAR
“Vërtetë jam e habitur nga masat e propozuara nga PSP pasi nuk ekziston asnjë arsye e vogël që çon në drejtim të asaj se mund ta pengoj procedurën e hetimit. Në mënyrë të rregullt u jam përgjigjur ftesave të Prokurorisë Speciale. Personalisht i kam marrë përfaqësuesit e PSP-së tek unë në kabinet teksa ushtroja pozitën e ministres së kulturës. Besoj në sistemin tonë juridik dhe shpresoj se gjithë kjo do të shërbejë në interesin tim”
Kançevska Milevska akuzohet për shpalljen e një tenderi të paligjshëm në vlerë prej 1 milion euro, që ishte destinuar për punime në Muzeun e VMRO-së.
Edhe Gjykata e Apelit edhe Supremja kanë afat prej 48 orësh për të marrë vendimet për paraburgimet.
Gjatë javës së kaluar, në të gjitha seancat publike, të akuzuarit, përfshirë këtu edhe kreun e VMRO DPMNE-së u shprehën të gatshëm për bashkëpunim me drejtësinë dhe premtuan se nuk do të ikin nga shteti. Disa e quajtën PSP-në si vegël politike e LSDM-së, por megjithatë e siguruan gjykatën se nuk do të bëjnë asgjë të kundërligjshme. Ndërsa nga Specialja këmbëngulnin se duhet të ketë paraburgime për shkak të mundësisë për arratisje dhe ndikim ndaj dëshmitarëve.
Ferikan Iljazi Arifi

