Lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski paraburgimin e gjashtë deputetëve të partisë së tij e vlerësoi si një precedent të rëndë, regjim dhe prishje të demokracisë.
“Po e shfrytëzoj këtë mundësi edhe një herë për t’i bërë apel prokurorisë dhe gjyqësorit dhe sidomos Qeverisë e cila ka vënë gjithçka nën kontroll, të mos bëjë gjëra të tilla. Për momentin, pesë për qind e të gjithë deputetëve janë në paraburgim, qoftë ky shtëpiak apo efektiv, ose 12 për qind e deputetëve të VMRO-DPMNE dhe Koalicionit”, tha Gruevski pas shtyrjes së rastit “Trajektorja”.
Kjo, siç shtoi, mund të ndodhë vetëm në vend ku demokracia është varrosur thellë.
“Partia e cila deri para gjashtë muajve fliste dhe nuk e hiqte fjalën regjim nga goja, tani po bën regjim të vërtetë”, tha Gruevski duke shtuar se kjo nuk është asgjë tjetër përveç ngulfatjes të opozitës dhe demokracisë.
Në pyetjen lidhur me kongresin e ardhshëm të VMRO-DPMNE-së, Gruevski theksoi se do të jetë transparent dhe për gjithçka opinioni do të informohet në kohë.

