Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë në dorëheqje të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi thotë se vendi nuk ka kohë për aventura politike dhe përqendrimi duhet të jetë në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë çka pastaj e zhbllokon rrugën evropiane. Grubi shprehet optimist se në një afat të shkurtër kohor Maqedonia do të mund të hap negociatat me Bashkimin Evropian, por thotë se për të arritur këtë, vendi duhet të ketë stabilitet institucional duke kundërshtuar këtu mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Në një intervistë për KosovaPress, Grubi ndër të tjera flet edhe për pozitën që do ta ketë BDI në qeverinë e re dhe për nismën rajonale “Open Ballkan”.
Grubi deklaroi se posti i zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut do t’i takojë prapë Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Derisa socialdemokratët e LSDM-së do të ndërrojnë disa nga ministrat, BDI nuk do të ketë ndryshime në përbërjen e re të kabinetit qeveritar përveç që pritet të marrë edhe drejtimin e Ministrisë së Arsimit.
“BDI do të jetë po në këto pozicione të cilat i ka, të cilat janë shumë afirmative, shumë dobiprurëse për qytetarët me pozitën të cilën unë ushtroj të zëvendëskryeministrit të parë, me ministrin e Jashtëm, ministrin e Financave, ministrin e Ekonomisë, me ministrin e Ambientit, por kemi vetëm një ndryshim, tek ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë e këmbejmë me gjasë me Ministrinë e Arsimit që do të thotë do të marrim një ministri të cilën e kemi drejtuar edhe më herët por të cilën e kishim edhe synim… Po të njëjtat pozita ne i mbajmë, ndryshimi do të ndodh në LSDM me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski në vend të Zoran Zaev, por sipas paralajmërimeve ata do të bëjnë edhe ndryshime të tjera në shumë prej ministrive”, thotë Grubi.
Ndryshimet në skenën politike në vendin fqinj erdhën pasi Lëvizja Besa braktisi koalicionin qeveritar e duke bërë që pozita dhe opozita të kishin numër të njëjtë deputetësh në Kuvend. Mirëpo, Alternativa me katër deputetët e saj vendosi t’i bashkohet koalicionit duke rikthyer numrat në favor të koalicionit aktual qeveritar.
Lëkundjet në koalicion erdhën si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhje lokale ku edhe vet kreu i qeverisë Zoran Zaev dha dorëheqje, veprim ky që u kundërshtua nga BDI.
Grubi thotë se zgjedhjet e parakohshme dhe krizat politike do të kishin ndikuar në ngecjen e proceseve që lidhen me hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Maqedonia e Veriut ndodhet para caktimit të datës për mbajtjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, çka shënon edhe hapjen e negociatave dhe miratimin e kornizës negociuese me BE-në. Në të njëjtën pikë është edhe Shqipëria që ka ngecur si pasojë e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Kjo (hapja e negociatave me BE-në) po pengohet nga Bullgaria për arsye të kontestit në lidhje me zbatimin e marrëveshjes të 2 gushtit të vitit 2017 dhe po shpresojmë që kjo të tejkalohet sa më shpejtë. Për të arritur këtë neve na duhet stabilitet institucional në Kuvend, në Qeveri dhe që ta di Sofja pas zgjedhjes së qeverisë së re atje në Republikën e Bullgarisë që e ka një partner në Shkup me të cilin mund të sjellë vendime dhe ta zhbllokojë ecurinë tonë drejt Bashkimit Evropian”, thotë Grubi.



