BDI akuzon kryetarin e LSDM-së Venko Filipçe se po përpiqet të mbulojë dështimet e partisë së tij duke e kopjuar narrativin albanofob të VMRO-PDMNE-së përmes narrativit anti-BDI. Sipas integristëve kjo është përpjekje për të ndërtuar identitet politik përmes BDI-së si e vetmja parti me identitet të qartë dhe e dyta, sipas tyre, përdorimi i retorikës anti-BDI është një pasqyrim i albanofobisë së rrënjosur në një pjesë të skenës politike maqedonase.
“Përdorimi i retorikës së konsumuar anti-BDI nuk i ndihmon as z.Filipçe, as partinë e tij, dhe sigurisht as Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët dhe qytetarët kërkojnë stabilitet, progres dhe vizion – jo retorikë përçarëse dhe albanofobi të rikthyer”, thonë nga BDI.
Socialdemokratët thonë se janë të befasuar nga qëndrimi i BDI-së se Filipçe dhe LSDM-ja përhapkan albanofobi. Shtojnë se kanë pritur që BDI të ishte e para që do ta pranonte takimin e liderëve për stabilitet, por sipas tyre, kjo fatkeqësisht nuk ndodhi dhe BDI-ja humbi një mundësi, ashtu si VMRO-DPMNE, për të treguar se me të vërtetë angazhohet për paqen dhe stabilitetin në vend.
Shfrytëzojmë rastin që t’i bëjmë thirrje BDI-së, VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe të gjitha partive parlamentare që ta pranojnë thirrjen për takim liderësh nga i cili bashkërisht do të dërgojmë mesazh për stabilitet. Nëse ata nuk e pranojnë këtë, do të duhet të themi me keqardhje se njëra nga këto palë ka interes të vazhdojë të nxisë tensione, gjë që është shumë e rrezikshme për shtetin”, thonë nga LSDM.
E në këtë zënkë mes opozitarëve u përfshi edhe partia në pushtet VMRO-DPMNE. Thonë se është e dukshme, siç e quajnë, mungesa e eksperiencës e dorës së djathtë të neurokirurgut të Zaevit.
Në vend që të bëjë hulli, me apo pa vetëdije kjo s’ka rëndësi, ai duhet të pyesë kolegët e tij, se kur dhe çfarë ranë dakord me BDI-në, se si BDI-ja i ka ulur në prehër të gjithë përveç njërit për shkak të prirjes së tyre për korrupsion dhe kur janë marrë vesh për nxitje tensionesh, diçka për të cilën kryeministri paralajmëroi në verë, dhe LSD-ja po vepronte në mënyrë joadekuate”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Krejt kjo zënkë mes dy ish-partnerëve qeverisës LSDM-BDI nisi pas një deklarate të kryetarit të ri socialdemokrat Filipçe i cili në një intervsitë për “360 gradë”, u shpreh se në të ardhmen koalicionit do t’i ndërtojnë në bazë të vlerave politike dhe jo të dëmtohen pozitat vetëm e vetëm që qeveria të qëndrojë ca më gjatë.