Një lëkundje sizmike e magnitudës 5 ballë u shënua në zonën e Kalamatës, 170 km nga Athina, në orën 10:17 të paradites, sipas orës lokale.
Sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, epiqendra e tërmetit është 38 kilometra në jugperëndim të Kalamatës, në thellësinë 19 kilometra, çfarë e bëri edhe më të fortë lëkundjen.
Momentalisht nuk raportohen viktima në njerëz. Sipas burimeve lokale janë dëmtuar disa banesa të vjetra.
Prefektura e Kalamatës ka dërguar në zonë një ekip ekspertësh për të verifikuar dëmet.
Për të qetësuar panikun e banorëve, prefektura njoftoi se u urdhërua mbyllja e shkollave dhe kopshteve për ditën e sotme.
Sizmiologët thonë se, gjatë 24 orëve të fundit është vënë re një aktivitet sizmik në zonën e Egjeut dhe në Greqinë kontinentale. Më herët, një lëkundje 5.4 ballëshe u shënua në afërsi të ishullit të Rodosit, por pa dëme.
Zona e Greqisë jugperëndimore vlerësohet si zonë sizmike aktive. Në të njëjtën zonë, në vitin 1986 humbën jetën 22 njerëz dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë nga një lëkundje 6.2 e shkallës Rihter.