Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj personit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer “krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion”, por edhe vepër penale “mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në aksident trafiku”.
“Më 2 nëntor, i dyshuari, 46-vjeçar nga Shkupi, nën ndikimin e drogave dehëse drejtonte veturën Honda. Në fshatin Marino, ai ka vozitur me shpejtësi më të madhe se ajo e lejuar, saqë kur është afruar në një kryqëzim të dy rrugëve, nuk ka vërejtur se në rrugë ka pasur një grua-këmbësore. Në pamundësi për të ndaluar në kohë, ai ka goditur me makinë trupin e gruas, e cila ka marrë plagë të rënda dhe ka ndërruar jetë. I dyshuari pas aksidentit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe ka tentuar të mbulojë krimin e kryer”.