Herën e fundit, Gjykata Kushtetuese mbajti seancën e saj më datën shtatë të muajit të kaluar. Gjykatësit janë në pushime, dhe Gjykata Kushtetuese paralajmëron ritëm të intensifikuar për në shtator. Gjykata aktualisht po punon me dy të tretat, sepse mandati i tre gjykatësve ka skaduar dhe është duke pritur Kuvendin të vendosë për tre anëtarë të rinj të saj. Kryetarja e kësaj gjykate, Dobrila Kacarska për Alsat thotë se ata tashmë kanë gati referate për disa nga rastet e rëndësishme, që i presin në tryezë pasi të kthehen nga pushimet. Këto janë kontestimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Marrëveshja e Prespës. Por, gjykata nuk do të vendosë për këto nisma derisa të kompletohet me tre gjykatës tjerë, edhe pse mund të marrin një vendim edhe me përbërjen aktuale prej gjashtë vetash. Kacarska thekson se është më mirë të merren vendime në përbërje të plotë.
– Advertisements –
Dobrila Kacarska, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese
“Këto janë raste të rëndësishme që janë aktuale në publik, por edhe jashtëzakonisht të rëndësishme edhe për shtetin. Nuk është e parëndësishme se çfarë vendimi merret, dhe çfarë është më e rëndësishmja duhet të jemi të kompletuar, që vendimet të kenë peshë dhe të shqyrtohen nga nëntë gjykatës.”
Kacarska thotë se punojnë intensivisht dhe në lëndën e kontestimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë, i cili u kontestua para Gjykatës Kushtetuese. Sipas saj, një nismë e rëndësishme është ajo e Antikorrupsionit, e cila kontestoi Ligjin për Ndërtimin e Rrugëve, përkatësisht për Korridorin 8, autostradën Tetovë – Gostivar, projektin autostradë Trebenishtë – Qafë Thanë dhe rrugën Prilep -Manastir. Pas një procedure të shkurtuar, deputetët e miratuan Ligjin. Seksionet duhet të ndërtohen nga konsorciumi amerikano-turk “Behtel – Enka”. Ndërtimi i këtyre rrugëve është planifikuar të jetë pa tender. Komisioni Kundër Korrupsionit, i cili kundërshtoi ligjin para Gjykatës Kushtetuese, nuk pajtohet me këtë. Sipas tyre, ka boshllëqe juridike në marrëveshjen, që krijojnë hapësirë për subjektivitet, ndikim politik dhe tregtim me pushtetin. Nuk dihet sa do të kushtonte ndërtimi i të gjitha seksioneve.
Bojan Stojanovski



