Jeton Shasivari, ministër i drejtësisë
Sot ndoqa panelin kushtuar 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, një ngjarje e rëndësishme që na dha mundësinë të reflektojmë jo vetëm mbi të arriturat e 25 viteve të fundit, por mbi atë se çfarë duhet të bëjmë më mirë në vitet që vijnë.
Besoj se ky përvjetor nuk duhet të mbetet vetëm një moment përkujtimi, por duhet të shërbejë si pikënisje për një debat të orientuar drejt së ardhmes, me fokus te shteti i së drejtës, gjithëpërfshirja, toleranca, mirëkuptimi dhe krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë.
Rinia është e ardhmja e këtij vendi, por mbi të gjitha është një nga resurset tona më të mëdha për të ndërtuar një shoqëri më të zhvilluar, më të qëndrueshme dhe me standard më të lartë jetese.
Në këtë drejtim, dialogu i hapur dhe konstruktiv ndërmjet bashkësive, si dhe bashkëpunimi i ndërsjellë, janë thelbësorë për ndërtimin e një kulture të re të dialogut politik dhe shoqëror.
Në panel u mblodhën profesorë universitarë, ekspertë, ish-diplomatë, politikanë, gazetarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Kjo shumëllojshmëri perspektivash e pasuroi debatin dhe krijoi një hapësirë të rëndësishme për të diskutuar hapur mbi të ardhmen e shoqërisë sonë.
Jam veçanërisht i kënaqur që kjo ngjarje u organizua nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive me në krye Ministrin z. Agon Ferati.
Për mua, rëndësi të veçantë ka që nga debatet e tilla të dalim me ide konkrete dhe me hapa që do të forcojnë bashkëpunimin, kohezionin shoqëror dhe besimin ndërmjet bashkësive.
Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit për kontributin, perspektivat dhe gatishmërinë e tyre për të qenë pjesë e këtij diskutimi të rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë.



