Lubomir Joveski, emrin e të cilit Qeveria ia ka propozuar Kuvendit për ta emëruar si prokuror të ri shtetëror në vend të Marko Zvërlevskit, nuk është emër i ri dhe i panjohur për opinion vendor e veçanërisht për shqiptarët.
Emri i tij figuron në një nga ngjarjet më të rënda dhe të parat në Maqedoninë e pavarur ku kanë pësuar shqiptarët. Lubomir Joveski ka qenë gjykatësi kryesor në procesin gjyqësor për “aferën e armëve” në të cilën shumë shqiptarë, përfshirë edhe figura të larta politike të Partisë për Prosperitet Demokratik përfunduan në burgje, ndërsa një nga të arrestuarit edhe ka humbur jetën nga malltretimet dhe rrahjet e policisë së asaj kohe.
Emri i Joveskit qëndron në dokumentet zyrtare gjyqësore nga ai proces i cili për më shumë se 25 vjet ende ka ngelur pa u zbardhur.
Pas pavarësisë së Maqedonisë, në kohën kur Ushtria Popullore e Jugosllavisë ishte tërhequr dhe Armata e Maqedonisë ende nuk ishte formuar, struktura të larta të PPD-së së asaj kohe si partia e vetme shqiptare, kishin filluar organizimin për formimin e njësiteve për mbrojtje civile. Shumë nga ish funksionarët e asaj kohe sot thonë se ky proces ka qenë legal dhe është bërë edhe me dijeni të krerëve shtetëror të cilët kanë dhënë leje që shqiptarët të vetë mbrohen nga grupet paraushtarake serbe të cilët vinin nga vatrat e luftërave në ish Jugosllavi.
Por, pas dy viteve Maqedonia formon ARM-në dhe drejtues të PPD-së thuhet se në atë kohë vendosin të pushojnë aktivitetin e njësiteve të armatosura që ishin formuar në emër të mbrojtjes civile. Por, gjatë këtij procesi në prapaskenë kishin ndodhur shumë zhvillime kontradiktore për të cilat e vërteta mbetet edhe sot mister.
Si përfundim, policia arreston dhjetëra aktivistë dhe funksionarë të PPD-së, por edhe drejtues qeveritar si zëvendës ministri i mbrojtjes Hysen Haskaj, i cili kishte 3 muaj që kishte marrë funksionin, Mitat Emini, zyrtar i lartë i PPD-së, si dhe shumë funksionarë të tjerë. Tek shqiptarët ky rast mbeti i njohur si “afera e armëve” ndërsa maqedonasit e quanin “forca paraushtarake”. /Arben Zeqiri

