Me katër vite burg është denuar Pançe Angelov, i cili është shpallur fajtor për sulmin ndaj Radmilla Sheqerinskës.
Në seancën e kaluar gjyqësore Angellov u shpall fajtor për sulmin ndaj Radmilla Sheqerinskës. Angellov është njëri nga sulmuesit i cili natën e 27 prillit gjatë dhunës në Kuvend ka sulmuar Sheqerinskën.
Gjykatësja Xheneta Bektoviç tha se mbi Angellovin ka më shumë rrethana që ia rëndojnë akuzën se sa ia lehtësojnë.
Ajo tha se është marë parasysh fakti se është njeri në moshë dhe nuk ka dosje penale, por megjithatë ka kryer vepër mizore penale edhe atë në sy të gjithë popullit të Maqedonisë të cilit i ka shkaktuar frikë dhe ndjenjë pasigurie
Sipas aktakuzës Angellov është ndër sulmuesit e parë që ka hyrë në Kuvend dhe bashkë me protestuesit e tjerë është drejtuar në pres qendrën e Kuvendit. Ai fillimisht ka kërcënuar kreun e LSDM-së Zoran Zaev, e më pas ka sulmuar edhe Radmilla Sheqerinskën.
“Personi ngarkohet se gjatë ngjarjeve në institucionin ligjvënës ka kryer dhunë të rëndë, duke tërhequr për flokë deputeten në Kuvend. E dëmtuara në këtë rast ka marrë lëndime të rënda fizike”.
I akuzuari 65-vjepar, Pançe Angellov në seancën e fundit e pranoi fajin dhe kërkoi dënim më të lehtë nga gjykata sepse, siç tha, ai jeton vetë dhe nuk ka kush të vijë t’i ndihmojë derisa do të qëndrojë në burg.Angellov përkundër asaj që e ka pranuar fajin, ai gjithashtu në seancë ka kërkuar falje për veprën që e ka bërë.
Kujtojmë që për ngjarjet e 27 prillit, Prokuroria Themelore ka proceduar nëntë kallëzimi penale për pjesëmarrje në turmë. Të gjithë të dyshuarit u dënuan me kusht, përveç dy prej të dyshuarve të cilët morën kallëzime penale nën dyshimin se kanë kryer veprën penale -tentim për vrasje ndaj deputetit dhe kreut të LR-PDSH-së Ziadin Sela. Dy të dyshuarit për sulmin ndaj Selës, Kire dhe Cane Gjeorgjievski edhe më tej janë në paraburgim. Prokuroria Themelore paraprakisht njoftoi se nga hetimet paraprake është zbuluar se në ngjarjet e dhunshme në Kuvend ka elemente të krimit të organizuar dhe për këtë kërkoi ndihmë nga Prokuroria për Krim të Organizuar./Almakos

