25 Tetor 2018 / 10:11
Katër seanca dëgjimore duhet të mbahen sot në Gjykatën Penale në Shkup. Një lëndë e Prokurorisë Themeëore Publike, ajo e ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend dhe tre nga PSP, gjegjësisht Tarifa, TNT dhe Titanik 3.
Për ngjarjet e 27 prillit, lëndë të cilën e udhëheq Prokuroria Themelore të akuzuar janë 33 persona, prej të cilëve 31 për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe dy persona për nxitje.
Në seancën e kaluar u panë video inçizime nga kamerat e Kuvendit, si dhe televizioneve.Prezantimi filloi me transmetimin e këndimit të himnit shqiptar nga foltorja e parlamentit nga deputeti i BESA-s Zekiria Ibrahimi, intonimin e himnit maqedonas nga Krsto Mukski dhe këndimin e këngës “Një emër kemi”. Përmes kamerave të sigurisë në QTQ, prokurorët treguan se si ka shkuar plani për ekipim në kafenenë Dion. Regjistrimet treguan se si të pandehurit marrin maska dhe drejtohen drejt Kuvendit. Në video nga prokuroria u identifikuan, Aleksandar Vasilevski – Ninxha, Igor Jug, Goranço Angelovski – Qoseto, Jane Çento, si dhe të tjerët që janë në paraburgim. Një fakt interesant në njohjen e të pandehurve ishte ai se Nikola Mitreski-Koljo kishte veshur të njëjtin jelek që ishte veshur edhe gjatë hyrjes së dhunshme në Kuvend.
Në bankën e të akuzuarve në gjykatë janë Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukoski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski, Mitko Çavkov, Mitko Peshovski, Dushko Llazarov, Goran Joshevski – Levi Oliver Popovski, Oliver Radullov, Sasho Markovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Elena Docevska – Bozhinovska, Ivan Cvetanovski Boris Damovski, Bogdan Ilievski – Betmen, Vllado Jovanovski, Igor Durllovski, Stefan Mlladenovski, Mihail Mlladenovski, Zakariе Simovski, Mlladen Dodevski, Jane Çento, Goranço Angellovski, Igor Jug, Ilia Sllaveski, Vllatko Trajkov, Viliam Mihajllovski, Nikolla Mitrevski – Koljo , Aleksandar Vasilevski – Ninxha dhe Mitre Pitropovski.
Ndërsa për lëndët e PSP-së për të cilat sot do të vazhdojë gjykimi janë “TNT”, “Tarifa” dhe “Titanik 3”.
Në seancën e fundit të rastit “TNT” Gjykata kishte anuluar seancën për shkak se ish kryeministri Nikolla Gruvski kishte shkuar në Kuvend për ndryshimet kushteuese. Ai kishte kërkuar që të jetë prezent në seancën e Kuvendit dhe i kërkoi Gjykatës të shtyjë seancën.
Për lëndën TNT, mes të akuzuarve është edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministri për Transport dhe Lidhje Mile Janakieski si dhe ish kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski. Sipas akuzës së PSP-së, të akuzuarit në vitin 2011 kanë kryer vepër penale nga urrejtja politike me rrënimin e kompleksit “Kozmos” të Fijat Canoskit.
Sot gjithashtu vazhdon gjykimi për lëndën e PSP-së “Titanik 3” ku të akuzuar janë Ejup Alimi dhe Ismet Guri, pasi si anëtarë të Komisionit komunal zgjedhor në Çair në vitin 2013 kanë “prishur material zgjedhor”, seanca sot vazhdon me dëshminë e 8 dëshmitarëve të rinj
Në seancën e fundit në rastin “Titanik 3” dëshmitarja Tulaj Krasniqi ishte shprehur se nuk i kujtohej rasti dhe refuzoi të përgjigjet në disa pyetje,kjo bëri që Specialja të dyshojë se kjo ka të bëjë me kërcënime dhe presione nga të akuzuarit drejtuar dëshmitarit.
Kurse në rastin “Tarifa” në bankën e të akuzuarve duhet të ulen Dejan Boshkovski dhe dy persona të tjerë, të cilët janë të akuzuar në rastin “Tarifa”. Bëhet fjalë për aktakuzë për furnizim të jashtëligjshëm të sistemit softuerik për nevojat e kompanisë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë” në vlerë prej rreth katër milionë eurove.