Hetimet për vrasjen makabre të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula nga ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson, vijojnë të zbulojnë detaje tronditëse. Në javën e dytë të hetimeve, prokuroria është fokusuar tek gjurmët e gjakut të gjetura në rrobat e Ilarias dhe në ambiente të ndryshme të banesës së vogël në via Homs, në pronësi të familjes së autorit.
Sipas burimeve hetimore, versioni i dhënë nga Samson është cilësuar si i paqëndrueshëm dhe kontradiktor, duke e bërë të pabesueshme deklaratën e tij për mënyrën dhe momentin e vrasjes.
Nga konkluzionet paraprake, nëna e autorit, Nosr Manplaz, dyshohet se ka ndihmuar të birin pas krimit. Deri më tani, roli i saj është kufizuar në pastrimin e gjakut dhe sigurimin e materialeve që ndihmuan në fshehjen e trupit, por hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ajo të ketë qenë dëshmitare direkte e ngjarjes, pa ndërhyrë për të shpëtuar vajzën.
Autopsia nuk arriti të përcaktojë kohën e saktë të vdekjes, pasi trupi i pajetë i Ilarias u gjet një javë më pas në një përroskë në Capranica Prenestina. Megjithatë, hetuesit po punojnë mbi hipotezën se krimi ka ndodhur që në mbrëmjen e 25 marsit, dhe jo në mëngjesin e 26 marsit, siç pretendon autori.
Gjurmët në dhoma të ndryshme kanë bërë grupin hetimor që të dyshojnë se 22-vjeçarja është përpjekur të shpëtojë, duke bërë disa hapa nëpër banesë përpara se të rrëzohej si pasojë e plagëve të rënda me thikë në qafë, të cilat çuan në shok hemorragjik, shkaku zyrtar i vdekjes.
Përfshirja e nënës së autorit mbetet nën hetim, ku as nuk përjashtohet mundësia që ajo të përballet me akuza për bashkëpunim në vrasje, nëse provohet se ka qenë e pranishme dhe nuk ka ndërhyrë për të shpëtuar vajzën.