24 Janar 2019 / 15:21
Vllatko Gjorçev i VMRO DPMNE-së i cili shpalli kandidaturën për president, shprehet i gatshëm t’i zgjatë dorën shqiptarëve për t’i kërkuar votat e tyre. Gjorçev i cili në opinion shqiptar njihet si njëri ndër eksponentët e protestave kundër Fakultetit të Pedagogjisë në gjuhën shqipe, tani konsideron se Maqedonia është shtet i të gjithve dhe se të gjithë së bashku duhet angazhuar për ta përmirësuar. Gjorçev thotë se shqiptarët janë të dëshpëruar nga Qeveria dhe premtimet e saj.
Nga ana ime dera është e hapur, dora është e zgjatur. Ejani të gjithë së bashku të fitojmë që Maqedonia të bëhet më e bukur, më e mirë dhe më e suksesshme. Dëshpërimi është i madh tek qytetarët, premtimet nuk janë përmbushur, shqiptarët ndjehet të zgjënjyer. Këtë e vërteton ekzodi që po ndodh në rajonet shqiptare”- pohoi Vllatko Gjorçev, kandidat për president.
Gjorçev vlerëson se qytetarët e Maqedonisë i ka bashkuar gjendja e keqe ekonomike dhe për këtë arsye duan ndryshim.
Mendoj se shqiptarët, maqedonasit dhe turqit, por edhe krishterët dhe muslimanët duan një ndryshim, qeverisje dhe Qeveri më të mirë”- tha Vllatko Gjorçev, kandidat për president.
Deputeti i opozitës i cili aktualisht është njeriu i vetëm i paraqitur në konkursin e VMRO-DPMNE-së për kandidat për president, pretendon se posedon përgaditjet e duhura për t’u bërë i pari i shtetit, duke shtuar se për sfidën e tij posedon mbështetjen e shumicës së deputetëve opozitarë dhe anëtarëve të partisë. Ai në këtë kontekst përmend vizitat e tij ndërkombëtare, duke mos harruar që të përmend edhe deklaratat e tij për premtimet e LSDM-së për shqiptarët e që sipas tij nuk janë përmbushur asnjë prej tyre. Për më tepër, Gjorçev natën e përgjakshme të 27 prillit në Kuvend, ishte i pari që për shumicën parlamentare hapi dyert e zyrës për t’i strehuar. Ndërkohë në VMRO vazhdon konkursi i kandidatëve për kryetar shteti. Më 16 shkurt, opozita do të mbaj kongres në Strugë, ku edhe zyrtarisht do të mësohet garuesi i VMRO-DPMNE-së për të parin e shtetit.
Adrian Kerimi
Loading…