Gjendja e mjerueshme e Muzeut të Alfabetit në Manastir është pasojë e qasjes diskriminuese të pushtetit të kaluar, akuzojnë nga Ministria e Kulturës të cilët më tej zotohen se deri në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm do t’u jepet fund problemeve me të cilat është ballafaquar ky muze. Sipas sekretarit shtetëror të Ministrisë së Kulturës Valmir Aziri, diku 250 mijë euro janë paraparë në projektin e mbështetur nga IPA fondet për rikonstruktimin e objektit të historik shqiptarë që gjendet në Manastir.
Deri në mesin e verës së vitit 2018 ky institucion do të riparohet, problematikat e vogla financiare që janë do të tejkalohen dhe me vet faktin që kemi arritur të eliminojmë problematikën e atyre dy shitoreve të famshme për një periudhë shumë të shkurtër dhe me një mënyrë shumë praktike, besoj që të gjitha problemet tjera do të eliminohen. Duhet ta themi qartazi, që garnitura e mëhershme e Ministrisë së Kulturës nuk ka pasur qasje pozitive ndaj atij institucioni, ka pas qasje diskriminuese -deklaroi Valmir Aziri, Sekretar Shtetëror i Ministrisë së Kulturës.
Edhepse premtime të ngjashme ka pasur shumë herë edhe në të kaluarën, në gjendje të mjerueshme, Muzeu i Alfabetit më 22 nëntor do shënoj edhe 109 vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit. “10 vitet e kaluara janë dëgjuar premtime dhe projekte nga më të ndryshmet për riparimin e objektit të Muzeut në Manastir, por asnjë nga ta nuk është realizuar”. Është ky vlerësimi i profesorit Tahir Zajazi, i cili drejton kritika të ashpra drejt institucioneve shtetërore si dhe shtetit të Shqipërisë e Kosovës, për neglizhencën dhe moskujdesin ndaj Muzeut të Alfabetit.
Muzeu i alfabetit në Manastir, sot në shekullin 21 të jetë në atë gjendje është turp kombëtarë, kur flasim për turp kombëtar, flasim edhe për shtetin amë, gjithashtu edhe për Kosovën. Ai muze së pari duhet të mëvetësohet si institucion kombëtarë sepse aty akoma ruhet një familje tregtare që bën biznes në themelet e një godine historike. Aty akoma nuk është pastruar çështja e pronësisë -tha profesori Tahir Zajazi .
Përveç se është lënë në dorë të fatit, Muzeu i Alfabetit në Manastir, viteve të fundit ka qenë cak i sulmeve të huliganëve. Drejtori i Muzeut Nuer Arsllani dje për televizionin Alsat u shpreh i mllefosur me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare për mosinteresimin që kanë treguar në lidhje me gjendjen së Muzeut të Alfabetit. Në këtë muze punojnë vetëm 7 persona, ndërsa kërkesat për punësime të reja gjatë viteve të kaluara ishin refuzuar nga Ministria e Kulturës.
Besian Leka

