Biznesmeni Sead Koçan sot në Gjykatën Penale Shkup është dënuar me gjashtë vite burg dhe i është shqiptuar ndalesa për kryerjen e veprimtarisë në kohëzgjatje prej tre viteve për keqpërdorim të procedurës në thirrje publike, ndarjen e marrëveshjes për furnizim publik apo partneritet publiko – privat dhe se me dokumente të rreme ka marrë pjesë dhe ka fituar tender për gërmimin e thëngjillit dhe në “REK Manastir” të SH.A. ELEM në vlerë prej 17 milionë euro për të cilën e akuzon Prokuroria Speciale Publike në lëndën “Trust”.
I akuzuari i dytë Vasilie Aviroviq, në cilësinë e udhëheqësit të firmës “Sileks jometale ST” për të njëjtën vepër është dënuar me tre vite burg. Ai sot nuk ka marrë pjesë në shqiptimin e dënimit pasi nuk është ndjerë mirë.
Gjykatësja Lidija Trajkovska – Zimbovska e ka liruar nga akuza të pandehurin e tretë Safet Vatiq, pasi vepra për të cilën akuzohet nuk është vepër penale.
Të akuzuarit, siç tha ajo, me vetëdije i kanë shkelur dispozitat ligjore, për shkak të realizimit të dobisë pronësore.
“Firmat ‘Transmet’ SHPK Shkup dhe “Sileks jometale ST” janë përgjegjëse në aspektin penal për keqpërdorim të procedurës për thirrjen publike, ndarjen e marrëveshjes për furnizim publik ose partneritet publiko-privat, prandaj Gjykata i dënon në të holla në vlerë prej dy milionë denarëve, shumë e cila duhet të paguhet në periudhë prej një muaji nga hyrja në fuqi e dënimit. Me vendimin e Gjykatës do t’u konfiskohet edhe pasuria në vlerë të njëjtë nga dëmi i bërë prej rreth 17 milionë eurove”, tha gjatë shqiptimit të dënimit Trajkovska Zimbovska.
Ajo theksoi se gjatë sjelljes së vendimit janë marrë parasysh edhe rrethanat e vështira dhe lehtësuese dhe shfaqi shpresë se ky gjykim do të jetë shembull që në të ardhmen të mos bëhen vepra të tilla penale.
Avokati i Safet Vatiqit, Vanço Mitev tha se nga ky proces i rëndë, vëllimor dhe i ndërlikuar familja Vatiq doli faqebardhë dhe me kokën lartë.
“Në emrin tim personal respekt për kryetaren e këshillit gjyqësor dhe për Gjykatën. Këtë fitore padyshim të madhe të mbrojtjes nuk e konsideroj si personale, e as si humbje të Prokurorisë, por si fitore të madhe të drejtësisë”, tha Mitev.
Një anëtar i familjes Vatiq deklaroi se përfundimisht me pushtetin e ri dhe me këto gjykime shihet se drejtësia është e kapshme për secilin i cili është i drejtë.
Për këtë lëndë nga nëntori ivitit të kaluar janë mbajtur 20 seanca.
Për dënimin e shqiptuar të akuzuarit kanë të drejtë për ankesë te gjykata më e lartë.

