Një ditë pasi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, akuzoi Lëvizjen Besa se bllokon zbardhjen e proceseve të montuara ssi Monstra, Sopoti dhe Brodeci, duke mos caktuar kryetar të komisionit anketues për të drejtat dhe liritë e njeriut, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, caktoi një kryesues tjetër nga radhët e LSDM-së dhe thiri seancën e parë të këtij komisioni. Pas këtij vendimi, nga Lëvizja Besa kanë thënë se kryeparlamentari Xhaferi ka demantuar më së miri kryetarin e partisë së tij Ali Ahmeti, të cilin Gashi e akuzoi se dëshmoi panjohuri të mëdha.
“Dje pas takimit në hotelin Aleksandër Pallash, kryetari I BDI-së pati një deklaratë shumë të çuditshme dhe shfaqi një panjohuri shumë elementare për punën ekomisionit anketues për të drejtat e njeriut se gjoja Besa për shkak të mosudhëheqjes me atë komision, moskryesimin, kanë ngecur dhe nuk do të zbardhen rastet Monstra, Brodec e kështu me radhë. Vetëm për informacion, është zyrtare, vetë kryetari i Kuvendit, anëtari i BDI-së, Talat Xhaferi ka caktuar një kryesues tjetër dhe ky komision sot ka mbledhje në orën 14. Do të thotë komisioni anketues për të drejtat dhe liritë e njeriut sot ka mbledhje në orën 14 dhe ata e kanë shumicën si koalicion, le ti zbardhin rastet. Ju bëj ftesë për shkak se sot në ora 2 mbahet ky komision, le ti zbardhin rastet, ne i presim dhe do ti urojmë nëse i zbardhin ato raste”, deklaroi Gashi.
Pas tij në një konferencë për media u paraqit vetë numri një i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili përsëri i bëri thirje Lëvizjes Besa që të caktojë kryetarin e komisionit të përhershëm anketues për liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë konferencë Xhaferi konfirmoi se ka caktuar një deputet që mund të thëret mbledhje deri sa të zgjidhet kryetari i komisionit.
“Me këtë komision duhet të udhëheqë Lëvizja Besa e cila deri më tani nuk ka nominuar kandidat për kryertar të trupit punues komisioni I përhershëm anketues. Mbi bazë të kompetencave të mia kam konvokuar seancën e parë të këtij komisioni dhe kam përcaktuar Pavle Bogoevskin, si anëtarë komisioni, deputeti i cili deri sa nuk zgjidhet kryetari i komisionit të përhershëm anketues të udhëheqë me seancat e këtij trupi punues”, tha Xhaferi.
Në orët e pasditës u thir seanca e parë e komisionit anketues për liritë dhe të drejtat e njeriut, por në rend dite nuk ishin paraparë asnjë nga rastet e dyshimta gjyqësore për të cilat Ahmeti dje apeloi të shqyrtohen sa më shpejtë. Në këtë seancë, deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili, përsëriti thirjen ndaj Lëvizjes Besa që të caktojë kryetarin duke thënë se ky është kusht për zbardhjen e proceseve të montuara. Por, deputeti i Besës Afrim Gashi tha se kryesuesi i komisionit i caktuar nga Talat Xhaferi mund të zhvillojë punën normalisht dhe propozoi që rastet e dyshimta të hapen menjëherë.
“Po shifet që rendi i ditës ka katër pika të cilat janë mjaft të rëndësishme, por ka çështje shumë të rëndësishme të cilat në labirinthet e procedurave të ndryshme parlamentare dhe gjyqësore duhet të zgjidhen. Dhe pikërisht është ky komision, rëndësia dhe pesha e këtij komisioni nga i cili komision presin edhe instancat e ndryshme gjyqësore për të përfunduar procedurat gjyqësore. Unë po e përmend këtu rastin e Sopotit, Monstrës, Kumanovës”, tha Rexhail Ismaili.
“Ne mezi presim të jemi anëtarë të këtyre komisioneve dhe do të jemi të frytshëm në këto komisione. Deri atëherë mendoj që me Rregullore ashtu siç është përcaktuar nuk ka asnjë problem që komisionet edhe me kryesues të vazhdojnë të punojnë. Unë propozoj që ju si kryesues këtë pikë ta vendosni në rend të ditës dhe si shumicë bashkë me BDI-në sa më shpejtë ti zbardhni këto raste dhe do ta keni votën tonë për çdo procedurë, në çdo mënyrë që ti zbardhni këto raste”, deklaroi Gashi.
Edhe kryesuesi i seancës së parë të komisionit anketues për liritë dhe të drejtat e njeriut, Pavle Bogoevski, ju kundërpërgjigj deputetit të BDI-së, duke i kujtuar se në përbërjen e kaluar kur LSDM kishte bojkotuar Kuvendit, shumica parlamentare, VMRO-BDI kanë caktuar kryesues i cili normalisht ka zhvilluar punimet e këtij komisioni.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Gashi: Xhaferi demantoi Ahmetin për “Monstrën… by tvshenjaofficial

