Duke u bazuar në rezultatet e publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, te kampi maqedonas fitues absolut është VMRO-DPMNE me 58 mandate deputetësh, ndërsa te kampi shqiptar fitues doli Fronti Europian me 19 mandate deputetësh. Megjithatë, gjatë formimit të qeverisë, ashtu edhe siç ka paralajmëruar vet kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, do ta anashkalojë Frontin Europian dhe do t’i fillojë negociatat me koalicionin VLEN. Këtë e konfirmoi sot edhe nënkryetari i kësaj partie, Timço Mucunski. Ai tha që komunikimi mes dy palëve tanimë ka filluar.
“Z.Mickoski dje qartë tregoi se ka realizuar tanimë komunikim me liderët e opozitës shqiptare. Ky komunikim besoj do të vazhdojë dhe do të mer dinamikë të përforcuar në periudhën e ardhshme. Ne tanimë një periudhë të gjatë paralajmërojmë se pikërisht subjektet nga ai koalicion i bashkuar janë partner i ynë i preferuar, ne gjithsesi se kemi principet tona të bazuara në politika dhe projekte. Besoj se do të kenë atje kapacitet pjekuri dhe gjuhë të përbashkët dhe rrugën për të formuar qeverinë e re reformuese të Maqedonisë”, tha Timço Mucunski – Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Se çështja e formimit të Qeverisë mes VMRO dhe VLEN është çështje e kryer, e pohon edhe përfaqësuesi i VLEN, Izet Mexhiti. Mexhiti në Facebook profilin e tij shkruan se VLEN do të jetë zëri i shqiptarëve në Qeverinë e re.
“Ne do të jemi zëri i shqiptarëve në Qeverinë e re, sepse ne jemi përfaqësuesit e votës së pastërt shqiptare. Plani VLEN 2030 tani është synimi jonë, si pjesë e Qeverisë së re”, theksoi Izet Mexhiti – FB status.
Por çfarë thonë nga Fronti Europian? Nga atje tanimë veten e llogarisin si forca e dytë në shtet dhe se legjitimiteti për përfaqësimin e shqiptarëve dhe komuniteteve tjera pakicë, thonë se është atje.