Ne aktualisht jemi në një situatë kritike. Po bëjmë gjithçka që ta zgjidhim këtë në mënyrë të qetë dhe në të njëjtën mënyrë do të vazhdojmë ta bëjmë, pavarësisht nëse reagojnë grupe të caktuara, kushdo qofshin dhe nga cilado anë që vijnë. Kështu ka deklaruar ministrja e arsimit dhe shkencës Vesna Janevska e pyetur për reagimet se shkollat po mbyllen për shkak se nuk regjistrohen fëmijë, por edhe për shkak të optimizimit të rrjetit shkollor dhe bashkimit të paraleleve nga shkollat periferike me shkolla më të mëdha.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Është fakt gjithashtu që edhe pse kjo masë është jopopullore, kjo Qeveri dhe unë si ministre po bëjmë gjithçka që është në interes të fëmijëve, sepse situata për momentin është kritike. Kemi marrë masa për t’i socializuar dhe bashkuar fëmijët, dhe në këtë mënyrë, duke bashkuar paralelet, diku mbi 400 paralele faktikisht janë mbyllur në njëfarë mënyre.”
Për mbylljen e shkollave periferike me numër të vogël nxënësish, ajo theksoi se nuk është e drejtë që një grup fëmijësh nga mosha 5 deri në 9 vjeç të qëndrojë i izoluar në një shkollë, sepse në këtë mënyrë ata nuk kanë konkurrencë, motivim për të fituar njohuri dhe nuk socializohen me fëmijë të tjerë.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Në interes të fëmijëve është që të jenë në një grup më të madh. Në interes të fëmijëve është të zhvillojnë empatinë, të mësojnë se si zgjidhen problemet, të shohin kushte më të mira shkollore, të përdorin tabelë smart, të shoqërohen me fëmijë të tjerë që janë të ndryshëm nga ata dhe të mësojnë të respektojnë njëri-tjetrin. Ka shumë arsye përse ne duhet ta bëjmë këtë. Detyra ime është ta bëj këtë, sepse nëse nuk e bëj, duke mos vepruar i shkaktoj dëm të gjithë shoqërisë, para së gjithash fëmijëve”.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës më herët pati njoftuar se këtë vit janë regjistruar rreth 3.000 nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar dhe se, për shkak se nuk kanë nxënës të regjistruar, nga 1 shtatori përkohësisht do të mbyllen 26 shkolla periferike. Në total, në vend ka 148 objekte shkollore të zbrazëta, kryesisht në zonat rurale. Në vitin shkollor 2026–2027 do të ketë 433 paralele më pak – 222 më pak në arsimin fillor dhe 211 në arsimin e mesëm, për shkak të bashkimit të paraleleve me vetëm disa nxënës, përkatësisht riorganizimit të mësimit.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/



