Gjykata Penale i ka caktuar 30 ditë paraburgim 19-vjeçarit B.I nga Shkupi, i dyshuar për ushtrim dhune ndaj një fëmije të mitur në lagjen Çair të Shkupit, kanë njoftuar nga Gjykata Themelore Penale e Shkupit. Në përleshjen në mes të rinjëve e cila ndodhi të hënën , ai dhe vëllai i tij 13-vjeçar, i mitur, u kanë shkaktuar plagë me thikë tre personave, dy prej të cilëve janë të mitur. Nga Gjykata informojnë se paraburgimi është caktuar mbi të tre bazat ligjore: rreziku i arratisjes, mundësia për të ndikuar te dëshmitarët dhe rreziku që ta përsërisë veprën penale.
GJYKATA PENALE E SHKUPIT
“Gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale të Shkupit, duke vepruar mbi propozimin e Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit për caktimin e një mase për sigurimin e pranisë ndaj 19-vjeçarit B.I. nga Shkupi, i dyshuar për dhunë ndaj një fëmije në lagjen Çair të Shkupit, pas deklarimit të tij lidhur me propozimin, mori vendim me të cilin i caktoi masën e paraburgimit për 30 ditë”.
Ndërkaq lidhur me vëllaun e tij të mitur I cili kishte ushtruar gjithashtu dhunë direkte, nga Prokuroria Publike dje njoftuan se 13-vjeçari nuk i nënshtrohet përgjegjësisë penale.
I mituri 13 vjeçar, i sulmuar me thikë sipas informacioneve të djeshme nga autoritetet mjekësore, është në gjendje të rëndë shëndetësor dhe ka një plagë nga goditja me thikë në zemër.
Sipas Ligjit për Drejtësinë për Fëmijët në RMV, një person që në momentin e kryerjes së veprës nuk i ka mbushur 14 vjeç nuk mund të dënohet penalisht, pavarësisht se sa e rëndë është vepra e kryer. Ligji përcakton qartë se ndaj një fëmije nën 14 vjeç “nuk mund të zbatohet sanksion” për një veprim që me ligj parashihet si vepër penale ose kundërvajtje.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/



