Trafiku në rrugët shtetërore të vendit po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata, njofton këtë mëngjes Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë (LAMM).
Sipas LAMM-it, intensiteti i qarkullimit është rritur në rrugët jashtë zonave urbane, ndërsa frekuencë e shtuar e automjeteve është regjistruar në pikën kufitare Tabanocë, në hyrje të vendit, si dhe në pikën kufitare Bogorodicë, në dalje. Koha e pritjes në këto pika llogaritet nga 30 minuta deri në një orë.
Në pikat e tjera kufitare në anën maqedonase, sipas njoftimit zyrtar, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje apo dalje nga vendi.
Megjithatë, qytetarë që kanë ndarë përvojat e tyre në rrjetet sociale pretendojnë se pritjet drejt Greqisë janë dukshëm më të gjata. Sipas tyre, për kalimin e kontrolleve të pasaportave në pikat kufitare Bogorodicë dhe Dojran nevojiten nga dy deri në tre orë. Këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
LAMM u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë shpejtësinë e lejuar dhe sinjalistikën rrugore, si dhe të drejtojnë me kujdes, veçanërisht në rrugët që kalojnë nëpër lugina dhe gryka, ku ekziston rreziku i rrëshqitjeve të dheut. Kujdes i shtuar rekomandohet në segmentet Katllanovë–Veles, Mavrovë–Dibër–Strugë, Vinicë–Berovë dhe Koçan–Dellçevë.



