Gazetar: Lluka Andreev
– Advertisements –
Franca merr sot presidencën gjashtëmujore të BE-së, me presidentin Emanuel Makron, që njoftoi se do të jetë një kohë progresi. Ballkani Perëndimor pritet të jetë ndër prioritetet.
Franca nga sot merr presidencën e Bashkimit Evropian. Duke paraqitur prioritetet, Presidenti Emanuel Makron, tha se fokusi do të jetë në Ballkanin Perëndimor dhe njoftoi një Samit të posaçëm për rajonin. Sipas burimeve të “Radio Evropa e Lirë”, një nga temat kyçe në këtë Samit do të jetë edhe integrimi evropian i Maqedonisë dhe Shqipërisë.
“Gjatë presidencës franceze të BE-së, sipas burimeve diplomatike, pritet një angazhim për të zhbllokuar fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Fillimi i këtyre negociatave mbeti peng i bllokadës bullgare të Maqedonisë së Veriut në Këshillin e BE-së, dhe si rrjedhojë disa vende nuk duan që negociatat të fillojnë vetëm me Shqipërinë” kanë thënë burimet diplomatike.
Diplomati Goran Rafajlovski, thotë se zgjerimi do të jetë deklarativisht temë e samiteve, por për ne vendimtare është që ta zgjidhim problemin me Bullgarinë, i cili, siç shton ai, tashmë është në fazën e konfliktit të ngrirë.
“Një ton pajtues do të ndihmonte në përshpejtimin e procesit, qetësimin e pasioneve nga të dyja palët, dhe gjetjen e shpejtë të një zgjidhjeje, që nuk do të pengojë integrimin evropian të Maqedonisë”, tha Goran Rafajlovski – ish diplomat.
Sipas tij, gabimi i diplomacisë së Maqedonisë është se lejoi që të mos zbatohet plotësisht Marrëveshja për fqinjësi të mirë, ku kemi nënshkruar se do të vërtetohen faktet historike të historisë së përbashkët. Megjithatë, ai është i rezervuar për pritshmëritë nga Qeveria e re në Sofje.
Sofja sot shënon 15 vjetorin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në një video fjalim kryeministri Kiril Petkov premtoi se Bullgaria do të jetë një anëtare aktive dhe konstruktive e aleancës./ Alsat.mk


