22:30 | 18 Gusht 2026
Më shumë se një e katërta e përdoruesve të Gjeneratës Z e përdorin inteligjencën artificiale (AI) në një mënyrë të ngjashme me komunikimin me një mik, duke iu drejtuar teknologjisë për mbështetje emocionale dhe për çështje personale, sipas një studimi të fundit global.
Sondazhi, i realizuar nga Kaspersky me 7.200 pjesëmarrës në mbarë botën, tregon se Gen Z e përdor inteligjencën artificiale më intensivisht se grupmoshat e tjera.
Rreth 27 për qind e të anketuarve thanë se i drejtohen inteligjencës artificiale siç i drejtohen një miku. Kjo tregon një ndryshim në mënyrën se si perceptohet teknologjia, nga një mjet që përdoret kryesisht për detyra konkrete në një burim shoqërie dhe mbështetjeje emocionale.
Ndërkohë, 28 për qind e pjesëtarëve të Gen Z deklaruan se konsultohen me AI për probleme personale që nuk do të ndiheshin rehat t’ua tregonin njerëzve të tjerë.
Kjo dëshmon se platformat e komunikimit me AI po bëhen pjesë gjithnjë e më e natyrshme e jetës së tyre digjitale.
Përdorimi i rregullt i inteligjencës artificiale është gjithashtu i lartë. 47 për qind e të rinjve thanë se e përdorin teknologjinë çdo ditë ose në mënyrë të vazhdueshme, përqindja më e lartë krahasuar me grupet e tjera demografike.
AI përdoret nga të rinjtë për një sërë qëllimesh. 56 për qind e përdorin për të kërkuar informacion, 49 për qind për studime, 47 për qind për të zhvilluar ide të reja dhe 39 për qind për çështje që lidhen me punën.
Megjithatë, pavarësisht përdorimit të gjerë të teknologjisë dhe aftësive të tyre digjitale, një pjesë e konsiderueshme e Gen Z nuk i kushton vëmendje të mjaftueshme sigurisë.
Vetëm 42 për qind thanë se zbatojnë rregullisht masa mbrojtëse, si kontrollimi i informacionit përmes burimeve të besueshme dhe shmangia e publikimit të të dhënave konfidenciale.
Ndërsa 52 për qind i zbatojnë këto masa vetëm herë pas here, 6 për qind nuk marrin fare masa sigurie gjatë përdorimit të inteligjencës artificiale.
Ekspertët e Kaspersky paralajmërojnë se, sa më personale të bëhen bisedat me inteligjencën artificiale, aq më e rëndësishme është që përdoruesit të tregohen të kujdesshëm. Të dhënat që futen në platformat e inteligjencës artificiale duhet të konsiderohen si jo-konfidenciale, pasi sistemet mund të japin informacion të pasaktë dhe ekziston rreziku i ekspozimit të të dhënave sensitive.
Vladislav Tushkanov, menaxher grupi në Qendrën Kërkimore të Teknologjisë AI të Kaspersky, tha se Gen Z është më e aftë të kuptojë zhvillimet e reja të inteligjencës artificiale dhe po gjen mënyra të reja për ta përfshirë atë në jetën e përditshme.
Sipas tij, fakti që përdoruesit ndajnë me inteligjencës artificiale mendime dhe ndjenja personale nuk do të thotë se këto biseda janë private apo plotësisht të sigurta. Për këtë arsye, ai u bëri thirrje të rinjve që, krahas përdorimit të teknologjisë, të tregohen të kujdesshëm duke verifikuar informacionin dhe duke mbrojtur të dhënat e tyre personale.



