Më shumë se 1.200 pacientë onkologjikë kanë aplikuar në thirrjen për mbështetje financiare, ndërsa pagesat për të gjithë aplikantët që i kanë plotësuar kushtet janë përfunduar ose pritet të përfundojnë gjatë ditës së nesërme, njoftoi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Gjorgjievski tha se çdo aplikim është shqyrtuar me kujdes dhe përkushtim, me qëllim që ndihma financiare të arrijë tek qytetarët që kanë më shumë nevojë.
“Ekzistojnë momente kur fjalët nuk mjaftojnë. Momente kur njerëzillëku nuk matet me atë që themi, por me atë nëse i japim dorën dikujt kur i është më e vështirë”, deklaroi Gjorgjievski.
Thirrja për mbështetje financiare mbetet e hapur, duke u dhënë mundësi pacientëve që i plotësojnë kushtet, por që ende nuk kanë aplikuar, ta bëjnë këtë.
Kryetari i Shkupit theksoi se pas çdo numri qëndron një person dhe një familje që po përballet me një betejë të vështirë shëndetësore dhe jetësore. Për këtë arsye, sipas tij, mbështetja institucionale duhet të shndërrohet në veprime konkrete dhe të mos mbetet vetëm në deklarata.
“Detyrimi ynë njerëzor dhe institucional është të jemi pranë bashkëqytetarëve tanë jo vetëm me fjalë, por me vepra konkrete, kujdes dhe mbështetje”, theksoi Gjorgjievski.
Ai shtoi se synimi është që asnjë pacient dhe asnjë familje të mos ndihen të vetmuar gjatë periudhës më të vështirë të përballjes me sëmundjen.
MARKETING


