Produkti në këtë foto është çokokremi i rrezikshëm më salmonelë i hedhur në treg nga “Lengo Group” dhe që është bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Sipas njoftimit nga AKU alarmi u dha nga RASFF, sistemi europian i paralajmërimit të shpejtë për ushqimin.
Në njoftim thuhet se është identifikuar prania e këtij bakteri në produktin “krem lajthie në kakao”, me origjinë nga Gjermania, duke përbërë një rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.
Prodhues i produktit është kompania gjermane Bartels-Langness Handelsgesellschaft mbH & Co, ndërsa importues në Shqipëri rezulton subjekti “Lengo Group”.
AKU u bën apel të gjithë qytetarëve që mund të kenë blerë këtë produkt, që të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë atë pranë pikës së shitjes ku e kanë blerë, për të shmangur çdo rrezik për shëndetin.
Njoftim për konsumatorin nga AKU
Në vijim të njoftimit të kategorisë njoftim informues për ndjekje, Shqipëria është njoftuar nga Sistemi RASFF (RAPID ALERT SYSTEM FOR FOOD AND FEED) mbi alertin me temë “Salmonella spp në krem lajthie në kakao” me origjinë nga Gjermania, duke përbërë risk serioz për shëndetin e njeriut.
PËRSHKRIMI I PRODUKTIT:
Emri i produktit: Nudossi Haselnuss-Nougat-Crème (300 g) mit 36% Haselnüssen ohne Palmöl.
Të dhënat e produktit:
Lot: L 1251838: Data e skadencës 18.09.2026.
Lot: L 1252635: Data e skadencës 26.08.2026.
Emri i subjektit prodhues: “Bartels-Langness Handelsgesellschaft mbH & Co”.
Emri i subjektit importues në Shqipëri: “Lengo Group”.
AKU ka kryer verifikimet përkatëse në subjektin importues ku është konstatuar se sasia e importuar e këtij produkti
– Krem lajthie me kakao”Nudossi Nut Nugat Creme”, me datë skadence .18.09.2026, Lot: L1251838, në sasinë 30 copë me sasi totale 9 kg.
– Krem lajthie me kakao”Nudossi Nut Nugat Creme”, me datë skadece 26.08.2026, Lot: L 1252635, në sasinë 60 copë me sasi totale 18 kg. Sasia totale e importuar për të dyja lotet është 27 kg.
Në subjekt u bllokua sasia prej:
– Krem lajthie me kakao “Nudossi Nugat Creme”, me datë skadence 18.09.2026, Lot: L1251838, 15 copë ose 4.5 kg.
– Krem lajthie me kakao “Nudossi Nugat Creme”, me datë skadence 26.08.2026, Lot: L 1252635, 46 copë ose13.8 kg.
Sasia totale e bllokuar për të dy lotet 18.3 kg me destinacion asgjësimin e tij.
Nga verifikimet e kryera rezulton se sasia e shitur te konsumatori fundor është 8.7 kg për të cilën subjekti ka kryer njoftim në ambientin tregtues.
AKU i bën thirrje konsumatorit që nëse e kanë në gjendje këtë produkt ta kthejnë në pikat e tregtimit ku e kanë blerë.


