Forumi i 6-të Ndërkombëtar i Taoizmit përfundoi në Hangzhou, në provincën Zhejiang të Kinës Lindore, me një deklaratë që bën thirrje për dialog më të gjerë midis qytetërimeve, përdorim të përgjegjshëm të teknologjisë dhe përpjekje për të promovuar mirëqenien njerëzore, shkruan “Xinhua”.
Deklarata u bëri thirrje komuniteteve taoiste në mbarë botën të ndërtojnë ura midis besimeve dhe kulturave të ndryshme, të nxisin zhvillimin etik të teknologjive digjitale dhe të mbështeten te mësimet tradicionale taoiste për të përkrahur shëndetin fizik dhe mendor.
Deklarata gjithashtu bën thirrje për ruajtjen e thjeshtësisë dhe vlerave tradicionale, ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë, si dhe trajnimin e praktikuesve taoistë me perspektiva ndërkombëtare dhe aftësi për komunikim ndërkulturor.
Yu Zongshi, nënkryetar i Shoqatës Taoiste të Kinës, dhe Fabrice Jordan, kryetar i Shoqatës Taoiste të Zvicrës, e lexuan deklaratën përkatësisht në gjuhën kineze dhe angleze, gjatë ceremonisë së mbylljes.
Forumi mblodhi së bashku rreth 500 përfaqësues, ekspertë dhe studiues taoistë nga 46 vende e rajone, duke ofruar një platformë për diskutime se si tradita e lashtë fetare dhe filozofike kineze mund t’u përgjigjet sfidave bashkëkohore.
I organizuar bashkërisht nga Federata Botërore e Taoizmit dhe Shoqata Kineze për Komunikimin e Kulturës Fetare, forumi përfshiu gjithashtu një ekspozitë me vepra klasike të çmuara taoiste, si dhe asamblenë e dytë të përgjithshme të federatës.
Forumi Ndërkombëtar i Taoizmit e ka zanafillën në një takim kushtuar “Tao Te Ching”, një tekst themelor taoist i cili u mbajt në vitin 2007 në Xi’an, provinca Shaanxi, në Kinën Veriperëndimore, dhe në Hong Kong. Që atëherë, ai është shndërruar në një platformë për shkëmbime midis komuniteteve taoiste në mbarë botën.



