Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka dënuar ashpër kërcënimet me dhunë fizike, fyerjet dhe gjuhën denigruese ndaj gazetares Milka Smilevska, të publikuara në rrjetin social Facebook.
Sipas SHGM-së, një profil me emrin “E vërteta dhemb” ka shpërndarë një fotomontazh tendencioz të gazetares, pas së cilës janë shfaqur komente fyese dhe thirrje të drejtpërdrejta për dhunë fizike ndaj saj.
Shoqata vlerëson se këto kërcënime përbëjnë rrezik serioz për sigurinë personale të gazetares dhe përpjekje për frikësimin e heshtjen e punonjësve të medias.
“Liria e shprehjes nuk mund të shërbejë si arsyetim për kërcënime, nxitje të dhunës dhe rrezikim të sigurisë së gazetarëve”, thekson SHGM.
Rasti është denoncuar në Sektorin për Krim Kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. SHGM kërkon identifikimin e autorëve, masa ligjore ndaj tyre dhe mbrojtje të menjëhershme për gazetaren Smilevska.



