Një ditë pas zjarrit në pallatin e banimit pranë zonës së njohur si “Farmacia 10” në Tiranë, kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula ka firmosur dy urdhëra për inspektim.
Në njoftimin zyrtar thuhet se inspektimi do të kryhet nga trupat Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
“Të kryhet inspektim i menjëhershëm nga trupa inspektuese e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, pranë subjekteve private në pallatin “Arlis”, me qëllim verifikimin e shkaqeve të aksidentit me pasojë zjarr, në zbatim të shkronjës “b”, pika 1, neni 33, të ligjit për inspektimin”, thuhet në shkresat e firmosura nga Sula.
Trupa inspektuese përbëhet nga Teuta Kukaj, Drilona Baruti dhe Alma Prendi.
Kujtojmë që nga zjarri në pallat u asfiksuan 11 persona, ndërsa dëmet janë të konsiderueshme.
Paraprakisht dyshohet se zjarri ka ardhur nga një biznes në katin e parë të pallatit 12 katësh.


