Prokurorët nga e gjithë Maqedonia e Veriut pas rreth një muaji pritet ta zgjedhin drejtuesin e ri të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Kjo për shkak se kreut aktual, Islam Abazit i përfundon mandati më 8 nëntor të këtij viti, raporton Portalb.mk.
Duke qenë se sipas rregulloreve ligjore, konkursi për kreun e ri duhet të shpallet 90 ditë apo përkatësisht tre muaj para përfundimit të mandatit, Këshilli i Prokurorëve Publikë tashmë e ka nisur këtë proces.
Konkursi pritet të jetë i vlefshëm që nga 10 gushti, kur vendimi duhet të publikohet në “Gazetën Zyrtare”.
Prokurorët ë cilët duan ta drejtojnë Prokurorinë që ndjek krimin e organizuar dhe korrupsionin do të mund të aplikojnë brenda 15 ditëve nga shpallja e konkursit.
Procedura për zgjedhjen e drejtuesit të PTHP-së për Krim të Organizuar dhe Korrupsion parashihet në Ligjin për Prokurorinë Publike, sipas të cilit kreu zgjidhet me vota nga të gjithë prokurorët publikë në vend.
Mandati i tij parashihet të zgjasë katër vjet dhe ai ka të drejtë për t’u rizgjedhur.
Midis emrave të përfolur si kandidatë për këtë pozitë përfliten janë Iskra Haxhi-Vasileva, Spasenka Andonova, Vlladimir Milloshevski, Aleksandar Markovskit dhe Jovan Cvetanovskit. Ndërkaq edhe kreu aktual i Prokurorisë, Islam Abazi, e ka lënë të hapur mundësinë që të kandidojë për një mandat të ri.



