Ka filluar seanca e Këshillit të Sigurimit, ku diskutohet për vazhdimin e tretë të mundshme të gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të krizës së koronavirusit. Propozimi për vazhdim të tretë të gjendjes së jashtëzakonshme, e cila skadon nesër, është dorëzuar deri tek Këshilli nga ana e Qeverisë, ndërsa ajo paraprakisht ka dalë sot me pozicion se do të kërkojë nga presidenti Stevo Pendarovski edhe 30 ditë të tjera të gjendjes së jashtëzakonshme.
“Në seancën e sotme të 53-të, Qeveria e Republikës së Maqedonisë të Veriut solli konkluzion që të parashtrojë propozim deri tek presidenti i Republikës së Maqedonisë të Veriut me raport mbi aktivitetet e ndërmarra deri më tani nga institucionet shtetërore, me të cilat argumentohet se trajtimi i suksesshëm i koronavirusit në vend kërkon gjendje të jashtëzakonshme edhe në 30 ditët e ardhshme”, është pjesë e konkluzioneve të seancës së sotme të 53-të të Qeverisë.
Ministri Venko Filipçe njoftoi dje se do të kërkohet vazhdim i gjendjes së jashtëzakonshme, por nuk saktësoi nëse do të kërkohen 30 ditë të reja apo më pak.
“Ne kemi nevojë për të vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme, sepse disa nga masat janë të vlefshme vetëm gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Shumë e rëndësishme është që ato të vazhdojnë të vlejnë edhe më tej. Shumë e rëndësishme është që të kemi instrumente në dorë për të punuar me këta mekanizma, në drejtim të kufizimit të lëvizjes, rregulloreve që zbatohen etj. Ne kemi nevojë për instrumente që do të bëjnë të mundur që rekomandimet e Komisionit për sëmundje Infektive të zbatohen përmes Qeverisë”, tha Filipçe.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski, vlerësoi se nëse zgjedhjet nuk mbahen në kohën e parë të mundshme, do të duhet të vazhdojmë në mënyrë artificiale gjendjen e jashtëzakonshme në mënyrë që të kemi sistem funksionues.
Gjendja e jashtëzakonshme mbi koronavirus fillimisht u shpall më 18 mars, pas çka është marrë vendim tjetër për 30 ditë të tjera, duke përfunduar të shtunën. Dy vendimet e presidentit Pendarovski që shpallin gjendje të jashtëzakonshme mbetën të pakonfirmuara nga Kuvendi, sepse Kuvendi është shpërbërë. bs/bsh/



