Me rastin e festës së madhe të Ngjalljes së Krishtit – Pashkëve, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë dhe katolikë, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste për shpresën, forcën dhe bashkëjetesën.
Në mesazhin e tij urues, Filipçe theksoi se Pashkët simbolizojnë fitoren e jetës mbi vdekjen dhe bartin një mesazh të fuqishëm për vlera si respekti, kujdesi dhe solidariteti.
“Pashkët është një festë që na jep forcë dhe sjell shpresë për fillime të reja e më të mira, për përballimin e sfidave. Simbolika e saj na kujton rëndësinë e respektit dhe kujdesit të ndërsjellë – vlera që ndërtojnë një shoqëri më të mirë për të gjithë”, shkroi Filipçe.
Ai shtoi se secili ka brenda vetes fuqinë për të kontribuar për një të ardhme më të ndritur dhe se vetëm së bashku mund të arrihen ndryshime domethënëse.
“Në këtë festë të madhe, le të kemi paqe dhe qetësi në shpirtrat tanë, dhe mirësia e mençuria të jenë udhërrëfyesit tanë”, përfundoi ai.