04 Shkurt
Vdekja e foshnjave dhe nënave gjatë dhe pas lindjes, në të shumtën e rasteve është si pasojë e kontrolleve jo të rregullta shëndetësore të grave gjatë shtatzënisë. Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe duke u bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë të cilat thonë se kontrollet e rregullta dhe të duhura gjinekologjike akoma vazhdojnë të mbeten tabu temë te gratë.
Përqindja më e madhe e foshnjave janë lindur para kohe, pesha e vogël e tyre dhe zhvillimi jo i duhur i organeve vitale, mushkëritë e zeza dhe të bardha si dhe sistemi nervor sjellin deri te një rezultat fatal. Ndërsa, lindja e parakohshme nga ana tjetër është si pasojë e infeksioneve te nënat në traktin urinar ose organet reproduktive. Apeloj deri te nënat e ardhshme të jenë më të përgjegjshme, të rregullta dhe pa përjashtim të shkojnë në kontrolle gjinekologjike – deklaroi ministër i Shëndetësisë Venko Filipçe.
Filipçe, me këtë rast prezantoi edhe masat të cilat në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFP) do të kontribuojnë në uljen e vdekjeve të foshnjave dhe nënave. Një ndër to është dhe përmirësimi i kushteve në spitalet gjinekologjike në Tetovë, Shtip dhe Manastir dhe furnizimin e tyre me ilaçe të rëndësishme për shpëtimin e jetëve.
Spitalet në Tetovë, Shtip dhe Manastir do të ofrojnë shërbime cilësore njëjtë sikurse klinika gjinekologjike në Shkup. Për shkak të mungesë së kuadrit dhe për shkak të definimit jo të plotë të udhëzimeve, të gjithë pacientët prej atje dërgoheshin në Shkup dhe kjo e fundit ishte e stër-ngarkuar Vetëm sa për ilustrim, klinika gjinekologjike në Shkup është paraparë që në nivel vjetor të ketë prej 3 deri 4 mijë lindje, ndërsa për momentin realizohen rreth 6 mijë lindje – theksoi ai.
Ndërkohë, në mungesë të personelit mjekësor, pediatër dhe neonatolog ministri i Shëndetësisë tha se në gjashtë muajt e ardhshëm do të punësohen mjek që janë në përfundim të specializimeve të tyre ose që tashmë kanë përfunduar. Ndërsa lidhur me specializantët privat Filipçe tha se pagat e tyre do fillojnë të paguhen nga muaji mars. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror për Statistikë, në vitin 2016, prej 1000 foshnjave të lindura, kanë vdekur 11.9 %, ndërkohë që mesatarja evropiane është 5.2 %.
Melihate Rustemi

