Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka theksuar rëndësinë e bisedimeve të paqes në Stamboll, pasi delegacionet ruse dhe ukrainase zhvilluan një takim në Stamboll që synonte avancimin e përpjekjeve për paqe midis dy vendeve, transmeton Anadolu.
“Sot ishte një ditë e rëndësishme për paqen botërore”, tha Fidan në platformën sociale X lidhur me bisedimet e paqes në Stamboll.
Fidan tha se bisedimet intensive diplomatike, të mbajtura me ndërmjetësimin e Turqisë, rezultuan në një marrëveshje për shkëmbimin e 1 mijë të burgosurve nga secila palë si një masë për ndërtimin e besimit.
Ai shtoi se ata gjithashtu ranë dakord të ndajnë me shkrim kushtet që do të mundësonin një armëpushim me palën tjetër.