Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar (FEMSH) ka ndjekur me vëmendje takimin e mbajtur në Ohër, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” ku u nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë me qëllimin e krijimit të një zone të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.
Përshëndesim çdo iniciativë që i shërben bashkëpunimit ekonomik rajonal por theksojmë se ky bashkëpunim nuk mund të konceptohet dhe të realizohet pa pjesëmarrjen e të gjithë shteteve që janë pjesë e Ballkanit Perëndimor. Një nismë që nuk ka karakter gjithëpërfshirës mbetet sporadike dhe jo efektive aq më tepër kur vendet pjesëmarrëse ndodhen në kushte të pabarabarta ekonomike, thekson FEMSH.
“Duke marrë në konsideratë, impaktin ekonomik që pretendohet që kjo nismë do të sjellë në vendet tona duhej të ishte e bazuar në studime të strukturuara dhe e konsultuar paraprakisht me sipërmarrjen e rajonit. Nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla sjell rrezikun që ekonomitë më të vogla të rajonit të mbizotërohen nga ato vende që kanë një ekonomi më të fuqishme dhe të diversifikuar. Rreziku që një vend do të përfitojë nga eksporti ndërkohë që vendi tjetër do të përballet me humbje për shkak të importeve është i dukshëm dhe real.
Ndërmarrja e një iniciative rajonale kërkon domosdoshmërisht që të ekzistojë barazi për të gjithë qytetarët dhe projektet që do të implementohen. “Ballkani i Hapur”, ndër të tjera, ka si synim lëvizjen e lirë të njerëzve. Ndërkohë që promovohet ky qëllim, ndodhemi përpara një fakti të pamohueshëm ku numri i shqiptarëve me dokumenta të asgjesuara në jug të Serbisë, si pasojë e pasivizimit të adresave, ka arritur në 10 mijë. Natyrshëm lind pyetja si mund të realizohet lëvizja e lirë e kësaj pjese të popullsisë?”, rikujtojnë nga ky forum.
Sipas FEMSH, mbi të gjitha kjo nismë nuk ka pjesë integrale Kosovën dhe ekonominë e saj për rrjedhojë asnjë lloj formule tjetër nuk mundet ta plotësojë atë për vendet tona. E vetmja iniciativë që krijon premisa për reciprocitet ekonomik dhe jo vetëm ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është Procesi i Berlinit.
Ndaj, fokusi i sipërmarrjes mbarë shqiptare duhet të jetë Procesi i Berlinit, i cili merr në konsideratë specifikat ekonomike të vendeve tona, duke stimuluar një klimë pozitive të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, lidhur ngushtë dhe me prespektivën e integrimit në BE. Zona Ekonomike Rajonale e Ballkanit Perëndimor krijon mundësi dhe projekte konkrete duke tërhequr më shumë investime të huaja direkte që sjell rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.
Gjithashtu, duhet theksuar se, ndërkohë që diskutohet mbi hapjen e tregjeve rajonale në Ballkan, sipërmarrësit ende hasin pengesa të shumta gjatë shkëmbimeve tregtare në hapësirat mbarë shqiptare si:
– tarifa të larta për kryerjen e procesit të zhdoganimit;
– çmimet e referencës;
– pamjaftueshmëria e njohjes së kërkesave ligjore, rregullatore e procedurale të lidhura me eksportet dhe importet të produkteve me origjinë shtazore;
-barriera dhe kontrolle fizike të mbingarkuara në pikat e kalimit të kufirit;
– pamjaftueshmëria e koordinimit mes agjencive kufitare etj.
Hapi i parë që duhet të ndërmerret në funksion të bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përfitimeve reale të sipërmarrjes mbarë shqiptare është eleminimi i barrierave që hasen gjatë shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si vende me zhvillim të njëjtë ekonomik.