I ati i 14 vjeçarit të plagosur, Fiqiri Meçe, ka rrëfyer detaje tronditëse nga krimi ku humbi jetën bashkëmoshatari i djalit të tij, Martin Cani, teksa deklaroi se ngjarja po përpiqet të manipulohet.
Fillimisht Meçe sqaron se i biri ndodhet në intubim, pasi thika i ka prekur melçinë. Ai tha se do të marrë shërbim për pak kohë në spitalin ku ndodhet por më pas ka ndërmend ta lëvizë. I mituri ka marrë 5 plagë në trup.
“Luisi nuk është më mirë, por nga reanimacioni ka dalë, por është akoma në stres e në panik, goditjet janë shumë të thella, krahun e majtë pothuajse e ka të paralizuar, po i bëjmë fizioterapi në mënyrë private se nga spitali nuk po na ofrojnë asgjë, as psikolog as fizioterapi. Mjekët na kanë thënë që nuk do ketë ndërhyrje të dytë deri sa të shohin gjendjen në vazhdim. Thika i ka prekur mëlçinë dhe djali është në intubim dhe nuk e dimë se sa do ta zgjasim. Për momentin do ta marrë aty ndihmën mjekësore pastaj kam në plan ta lëviz jashtë sepse nuk e di se sa kohë do të duhet që me pesë plagë në trup të bëhet ai që ka qenë.”, tha Fiqiri Meçe në një intervistë për Euronews.
Përsa i përket marrëdhenies së dy 14 vjeçarëve. Fiqiri Meçe u shpreh se ata janë rritur së bashku , e ishin të pandarë.
“Ne jemi komshinj me babain e Martinit dhe fëmijët njiheshin që të vegjël, shokë në ekip. Kur shkonin në ndeshje, gjithmonë i merrja unë te dy, ishin të pandarë, ishin si vëllezër, vishnin rroba njësoj. Kur kishin një debat e kuptoja, se vishnin rroba të ndryshme. Martini vinte rrinte tek shtëpia ime, merrte djalin shkonin tek shtëpia e tij. Bënin edhe not për zgjatje.”, tha ai.
I pyetur nëse ai ka folur me të birin se çfarë ka ndodhur asaj dite, Meçe sqaron se Martin Cani ka pasur konflikt me një bashkëmoshatar nga klasa paralele e janë zënë me goditje. Sipas deklaratës së tij, të miturit nuk kanë dashur të përfshinin prindërit në konflikt, me pretendimin se do të mund të sqaroheshin të hënën.
“Luisi është i traumatizuar. Mban mend pjesën e konfliktit, ngjarjen si ka ndodhur. Ai nuk ka qenë prezent, sepse ishte shkollë tjetër.
Ditën e premte, Martini i ka thënë Luisit që ka pasur konflikt tek shkolla që një nga shokët e klasës paralele, kemi bërë fjalë dhe jemi goditur, ka ardhur një më i madh dhe më ka goditur. Martini kishte një shenjë të premten tek buza. I ka thënë që mos i trego prindërve por të hënën të ulemi ta zgjidhim. Nuk e dimë se kush është personi i rritur që e ka goditur dhe nëse ka ndodhur brenda apo jashtë shkollës.”, tregoi Meçe.
Më pas ditën e hënë, kur ndodhi dhe krimi, Meçe u telefonua nga poliklinika për të birin, i cili u lajmërua se 14 vjeçari po dërgohej tek spitali i Traumës.
“Të dielën i çova në ndeshje, i pashë rrugës që kishte diçka që nuk shkonte, flisnin e përsërisnin, por nuk më treguan. Nuk i pyeta, më konsideronin si shok dhe më tregonin se çfarë problemesh kishin. Isha më shumë shok sesa prind.
Të hënën isha në Peqin, më marrin nga poliklinika dhe më thonë je babai i Luisit? Ai është plagosur me thikë, i dhamë ndihmën e parë dhe po e dërgojmë tek Trauma. Nuk më tha sa goditje ka marrë.
Shkuan djali dhe nusja ime para, takuan babin e Martinit, që i kishin treguar se edhe ai ishte plagosur.”, sqaroi ai.
Sakaq, prindi i të plagosurit deklaron se fëmijët janë sulmuar nga dy persona, e i bën thirrje prindërve të dorëzojnë fëmijën e tyre. Meçe e identifikoi fëmijën e dytë të përfshirë me emrin Kledjoni, e se sipas tij thika që ai ishte i pajisur ishte 10-12 cm.
“Të dy personat që kanë goditur fëmijët tanë, se nuk është 1, unë i kam me emra. Më vjen keq edhe për ata sepse kanë të njëjtën vuajtje si ne, por duhet të jenë të sinqertë dhe të sillen në mënyrë njerëzore, të dalin dhe të japin një mesazh për njerëzit që të bëhet më e mira, sepse rinia nuk mund të shkojë përpara duke goditur me thikë.
Fëmija mund të dalë fëmija i kujtdo dhe ta bëjë këtë gjest, por prindi duhet të jetë i përgjegjshëm. Përveçse nuk e ka ndaluar, e ka pajisur me thikë fëmijën në shkollë. Luisi i ka parë që janë dy veta, personi i parë që e ka goditur Luisin me thikë pas shpine është Kledjon Begaj, bashkëmoshatar dhe shok i autorit tjetër.
Kledjoni e ka pasur thikën më të vogël, distanca e thikës mund të jetë rreth 10-12 cm. I kam dhënë këto dëshmi te Drejtoria e Policisë. Kledjoni e ka goditur i pari në shpatull djalin tim, dhe plaga në shpatull është më shkurtër dhe më e ngushtë se sa plaga që ka marrë në bark.
Herën e dytë e ka goditur ky djali që është kapur Mario Përlleshaj, dy herë dhe në fund pastaj e kanë goditur të dy. Se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë, e ka ngritur dhe i ka thënë çohu se paskan thikë. Në atë moment iu janë hedhur të dy djalit, Kledjoni e ka goditur në krah dhe në ije. Kurse tjetri i ka rënë më thikën e madhe tek gjoksi, Luisi e ka shtyrë me duar dhe nuk është shumë plagë e madhe. Luisi nuk i njihte, vetëm viktimë njeh.”, deklaroi Meçe.
I ati shprehet se Luisi nuk është mirë psikologjikisht dhe se do i duhet kohë për t’u rikuperuar nga plagët.
“Nuk është mirë psikologjisht, ka lodhjen e vet. Na duhet ndihmë nga shteti qoftë një psikolog një fizoterapist për krahun, ndonjë mbështetje për kurim më të mirë. Janë 5 plagë në trup.
Shteti të marrë masa dhe autorët të kapen. Nuk kërkojmë hakmarrje por ata që kanë bërë këtë vepër kriminale të shkojnë aty ku e meritojnë, edhe djali im po të jetë nesër do ta çoj atje të vuajë dënimin.
Atë ditë Luisi ka shkuar tek shkolla Fan Noli se e ka kërkuar Martini, ka shkuar për një sqarim dhe Luisi nuk ka shkuar për t’u goditur.
Problemi më i madh është se po e vuan psikologjikisht, do i duhet kohë për tu rikuperuar me krahun, pjesë të trupit, djali është në spital dhe nuk e dimë se në çfarë gjendje do të dalë.”
Lidhur me fëmijën e dytë të përfshirë, Meçe deklaron se ai është pyetur nga policia por nuk është ndaluar.
“Se di pse po zgjat, autorët do të duhet të ishin të dy para drejtësisë. Nuk është nevoja të vij unë ta them emrin e personin të dytë, policia ka marrë kamerat edhe dëshmitë.
Duhet të kërkojmë sigurinë e fëmijës brenda ambienteve të shkollës, pastaj kërkoni edukim të prindërve. Prindërit t’i mbajnë fëmijët larg veseve të këqija, aktiviziojini në sport, not dhe sa më larg telefonit.
Nuk jam i ngarkuar, jam i qetë si prind, i ngarkuar është fëmija ime. Por të isha i ngarkuar do të kisha marrë veprime të tjera. Nuk janë plagë trupore, por plagë të rënda trupore.
Luisi ka thirrur atë ditë Marion dhe Martini, i ka thënë pse jeni zënë, ai ka nxjerrë thikën dhe i ka goditur direkt, Ka qenë i organizuar, ka dalë nga shkolla me thikë, ka kaluar nga trotuari ka goditur fëmijën. Fëmija im ka shkuar për t’i qetësuar.
Fëmija tjetër është pyetur nga policia por nuk është ndaluar. Prindi i fëmijës bën mirë që të shkojë ta dorëzojë vetë fëmijën, bashkë me armën e krimit. Ndryshe do ti bëj publike gjithçka, ai mirë është të shkojë ta dorëzojë, mqs e ka mësuar në atë mënyrë, nuk edukohet fëmija me thikë e kallash.”, tha ai.
Sakaq, Meçe shprehet se një person i cili u paraqit si inspektor, ka dashur të marrë dëshminë e Luisit, por sipas tij ai erdhi pa psikolog, duke e vënë në presion të miturin e plagosur. Meçe dyshon se ky person inspektor mund të jetë e ndonjë i afërm i autorëve.
“Sigurisht që ngjarja mund të manipulohet, Shqipëria është vend i çudirave. Nëse nuk do ti mbronin fëmijët do të jepnin një deklaratë për Martin.
Si nga babai i Marios dhe Klejdit nuk kam pasur kërcënime, edhe nëse do ta bëjmë, nuk tremb. Kam punuar me djersë. S’kam pasur presion, djalit i erdhi një inspektor dhe i bëri presion, por e nxora jashtë, Dyshoj se mund të jetë edhe dikush nga këta. Inspektor që merr dëshmi, ky nuk erdhi në prani të psikologut. Djali nuk flet dot sepse i merret fryma dhe ai e ka vendosur në presion. E kam nxjerrë jashtë, nuk pranuam. Nëse do të ishte inspektor, së pari duhet të ishte njeri. Nuk mund të vijë me petkun e inspektorit, dhe ti bësh presion. Shumicën e gjërave i kam zbuluar vetë.”, sqaroi Meçe.