Virusi “Ethet e Nilit” tashmë ka mbërritur dhe në Fier, ku janë regjistruar disa raste që nga fundi i korrikut.
Mjekja epidemiologe, Anila Moci shprehet se personat e infektuar janë paraqitur pranë Spitalit Rajonal të Fierit. Pasi ata kanë rezultuar pozitivë, janë dërguar menjëherë në QSUT, ku ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Sakaq, mjekja thotë se pritet konfirmimi i dy pacientëve të tjerë nëse janë infektuar apo jo, teksa thekson se nuk ka raste të rënda me rrezik për jetën.
Përballë kësaj situate ka shtuar Moci është bërë dezinsektimi i vatrave “ hot spot” dhe i vijës bregdetare në bashkëpunim me pushtetin vendor duke theksuar se situata është nën kontroll.
Moci ka pohuar gjithashtu se “ Ethet e Nilit” është një sëmundje që transmetohet tek njerëzit nga pickimi i mushkonjave dhe prek sistemin nervor ndaj ka apeluar që edhe në ambientet shtëpiake të merren masat e duhura duke theksuar se nuk ka vend për panik pasi rastet janë sporadike dhe virusi aktualisht në bashkinë Fier nuk është kthyer në epidemi.
Prej dy javësh ISHP po vijon me testimet në terren duke i kërkuar pushtetit vendor të bëjë dezinsektimin e zonave ku rriten mushkonjat.



