Kina synon ta zgjerojë industrinë sportive në më shumë se 7 trilionë juanë (1.04 trilionë dollarë amerikanë) deri në vitin 2030, në kuadër të një plani të ri pesëvjeçar për shndërrimin e vendit në një fuqi sportive, thanë zyrtarët të enjten.
Plani i 15-të pesëvjeçar (2026-2030), i miratuar nga Këshilli i Shtetit në korrik, synon gjithashtu rritjen e hapësirës për ambiente sportive për frymë në rreth katër metra katrorë dhe rritjen në rreth 40 për qind të përqindjes së banorëve që merren rregullisht me aktivitet fizik, tha Gao Zhidan, drejtor i Administratës së Përgjithshme të Sportit, gjatë një konference për shtyp të Zyrës së Informacionit të Këshillit të Shtetit, citon “Xinhua”.
Gao tha se fushata “Viti i Thellimit të Qeverisjes”, e nisur në fillim të këtij viti, do të synojë të adresojë pengesat në zhvillimin e industrisë sportive. Kjo përfshin përpjekjet e vazhdueshme për çrrënjosjen e korrupsionit, luftimin e kulturës toksike të tifozëve dhe ndërtimin e një sistemi të mirërregulluar të qeverisjes sportive.
Në sportin elitar, Gao tha se Kina do të kalojë nga strategjia e përparimit të prioritizuar në një model të zhvillimit gjithëpërfshirës, të përqendruar te projekti 633. Nisma parashikon konsolidimin e avantazheve të Kinës në gjashtë sporte ku vendi ka pasur tradicionalisht rezultate të mira, përfshirë zhytjen dhe gjimnastikën, zhvillimin e tre sporteve bazë, përkatësisht atletikës, notit dhe sporteve ujore, si dhe ringritjen e basketbollit, volejbollit dhe futbollit.
Zhang Xin, drejtor i Departamentit të Sporteve Konkurruese të administratës, tha se autoritetet do të përdorin më shumë mekanizmat e tregut për zhvillimin e sportit elitar, duke iu dhënë ndërmarrjeve, universiteteve dhe organizatave shoqërore një rol më të madh në stërvitje dhe gara, si dhe duke tërhequr talente, kapital dhe teknologji nga një gamë më e gjerë burimesh.
Chen Xingnian, drejtor i Departamentit të Sportit Masiv, tha se plani kombëtar për aktivitetin fizik në periudhën 2026-2030 do të përqendrohet në ofrimin e shërbimeve më të përshtatura, gjithëpërfshirëse, inteligjente, të integruara dhe më të mirërregulluara.
Gjatë periudhës pesëvjeçare do të ndërtohen ose përmirësohen më shumë se 5,000 ambiente të vogla për aktivitet fizik, përfshirë parqe të vogla sportive dhe fusha multifunksionale, ndërsa përparësi do t’iu jepet zonave me dendësi të lartë të popullsisë, ku kërkesa është më e madhe.
Sa i përket industrisë sportive, Yang Xuedong, drejtor i Departamentit të Ekonomisë Sportive, tha se administrata do të thjeshtojë procedurat për miratimin e aktiviteteve sportive, me synim uljen e kostove dhe përmirësimin e përvojës së spektatorëve, ndërsa do të zhvillojë 100 destinacione cilësore për sportet në natyrë.
Teknologjitë e reja, përfshirë inteligjencën artificiale dhe të dhënat e mëdha, do të përdoren për zhvillimin e shërbimeve inteligjente të aktivitetit fizik dhe sporteve virtuale, tha Yang.
Gao rishikoi gjithashtu përparimin e Kinës gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar, duke thënë se aktiviteti fizik publik ishte bërë gjithnjë e më i përhapur, atletët kinezë kishin arritur rezultatin më të mirë të vendit në Lojërat Olimpike jashtë Kinës në Paris 2024 dhe industria sportive kishte ruajtur një rritje të fortë.



