Investimet kapitale për vitin e ardhshëm nuk janë paraparë të shpërndahen në mënyrë reale dhe përkatëse. Shteti në letër planifikon të shpenzojë 615 milionë euro me Propozim buxhetin për vitin 2022, por realisht, sipas praktikës së deritanishme, ky plan do të jetë i vështirë për t’u realizuar, thonë nga Finance Think.
Sipas tyre, nuk është racionale që ministritë që nuk e kanë realizuar as gjysmën e premtimit këtë vit, të marrin buxhet 300 për qind më shumë për investime kapitale për vitin e ardhshëm.
“Mund të shihet tendenca e mos shkurtimit të shpenzimeve joproduktive, ndërsa nga ana tjetër në mënyrë shumë optimiste definohen shpenzimet kapitale. Shohim institucione që kanë realizim të ulët të shpenzimeve kapitale, dhe në buxhetin e ri fitojnë detyra edhe më të mëdha kapitale, ndërsa nga ana tjetër kemi një paradoks tjetër ku institucione që kanë obligime të ulëta kapitale, nuk arrijnë t’i realizojnë ato obligime dhe përsëri me buxhetin e ri fitojnë rritje të shpenzimeve kapitale”, thotë Bojan Srbinovski Finance Think.
Edhe në ditën e dytë të debatit në Komision parlamentar, opozita akuzoi për shpenzime të shumta joproduktive të ministrive për punësime, rroga, automobila.
“Jam shumë i interesuar për një ministri sepse ka 260 mijë euro për atë që thuhet se është inventar i imët. Për letra, goma, stilolapsa, mos janë shumë kolegë. Ministria e Transportit dhe Lidhjes është ministri për të cilën flasim të gjithë, por një ministri që nuk mund të bëjë realisht as 55 për qind të asaj që sapo keni vendosur si detyrë për të përfunduar. Ka pasur 134 milionë për ndërtimin e banesave sociale, me rebalancë 194 milionë dhe tani janë zero”, u shpreh Lupço Prenxhov- deputet i partisë “GROM”.
Për ministrin e financave Fatmir Besimi, të gjitha rritjet e pagave janë në përputhje me nevojat dhe kërkesat e shfrytëzuesve buxhetorë.
“Për sa i përket pagave dhe inventarit të imët që iu referuat, bëhet fjalë për programin e promotorëve ekonomikë që duhet të dërgohen, sipas asaj që janë paralajmëruar në Ministrinë e Jashtme, përveç pjesës së pagave, ka edhe kosto të tjera për pajisje dhe ekip shtesë”, tha ministri i Financave Fatmir Besimi.
Rritjen më të madhe vitin e ardhshëm do ta ketë Ministria e Jashtme me 300 për qind më shumë dhe Ministria e Mjedisit me 79 për qind krahasuar me këtë vit. Nga MPJ-ja nuk janë përgjigjur se për çfarë do t’i shpenzojnë investimet kapitale, ndërsa nga Ministria e Mjedisit thonë se rritja është për realizimin e projektit të ujësjellësit në vlerë prej 50 milionë euro. Buxheti ende përfshin projekte kapitale për ndërtimin e qendrës klinike në Ohër dhe Shkup, spitalin e përgjithshëm në Kërçovë, sistemet kolektore në Ohër dhe Strugë, të cilat ndër vite assesi të realizohen.