Një 21 vjeçar i identifikuar si Luçian Mëhilli, është arrestuar nga blutë e Shkodrës pas një viti i shpallur në kërkim, për shkak të vrasjes së shtetasit Valter Fierzës.
Mëhilli, me datë 21 shtator 2023, vrau Fierzën pas një konflikti të çastit të ndodhur mes tyre, në afërsi të një lokali në fshatin Hoti i Ri.
Lidhur me këtë ngjarje, më herët uniformat blu kanë arrestuar një prej vëllezërëve e të riut, shtetasin E.D. dhe po punohet për kapjen e shtetasit A.M.
21 vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga ana tjetër, vëllezërit e tij akuzohen për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
NJOFTIMI
Shkodër/Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Si rezultat i kërkimeve dhe punës së inteligjencës policore, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 21-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në fshatin Hot i Ri, rreth 1 vit më parë.
Deri tani, për këtë rast, Policia ka vënë në pranga 4 shtetas dhe vijon punën për ndalimin e shtetasit të fundit të shpallur në kërkim.
Në vijim të punës për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, në lidhje me vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në afërsi të një lokali në fshatin Hot i Ri, më datë më 21.09.2023, Sektori për Krimet e Rënda dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin L. M., 21 vjeç, banues në Shkodër.
Për të, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. 21-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, të vënë në pranga nga Policia, ka vrarë shtetasin V. F., 33 vjeç.
Në lidhje me këtë rast, Policia ka vënë në pranga dhe shtetasin E. D., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe po punon për kapjen e shtetasit A. M., të kërkuar për të njëjtat vepra penale.
Pas ngjarjes, nga kontrollet në lokalin në afërsi të vendit ku u krye vrasja, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike cannabis sativa, në trajtë boçeje, që dyshohet se posedohej nga 5 shtetasit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.