Agjencia e Mbikëqyrjes Policore së rajonit të Vlorës, ka arrestuar Kryekomisarin e Gjirokastrës, Agim Fejzo, i dyshuar se ka shpërdoruar detyrën e tij.
Fejzo, i cili mban detyrën e Shefit të Sektorit të Shërbimeve Operacionale në Drejtorinë Vendore Policore të Gjirokastrës, është lënë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Dyshohet se kryekomisari i Gjirkastrës të ketë shfrytëzuar postin e tij dhe të ketë bashkëpunuar me një grup kriminal.
Sipas AMP-së, Fejzo falsifikonte dokumente dhe ndihmonte në kalmin e paligjshëm të kufitit të personave të përfshirë në këtë grup.
Agim Fejzo akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dhe i dënueshëm deri në 7 vite burgim.
Njoftimi i AMP-së:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për punonjësin e policisë, Kryekomisar Agim Fejzo, me detyrë Shef i Sektorit të Shërbimeve Operacionale në DVP Gjirokastër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”
Nga hetimet intensive disa mujore nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, u siguruan prova se punonjësi i policisë ka bashkëpunuar me një grup kriminal që ushtronte veprimtaritë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.



