Uniformat blu kanë arrestuar dy të rinj të moshës 23 dhe 24 vjeç, të cilët trafikonin armë zjarri me qëllim shitjen e tyre në qytetin e Sarandës.
Në pranga kanë rënë Mehmet Canaj, 24 vjeç dhe Klaudio Osmani, 23 vjeç, të dy banues në Këlcyrë të Permetit.
Arrestimi i tyre u bë përmes operacionit policor të koduar “Knock Out 7”.
Të rinjtë u arrestuar në flagrancë në aksin rrugor “Sarandë-Skërficë”, ku Canaj ishte drejtuesi i automjetit me të cilin po lëviznin ndërsa pasagjer Osmani.
Në automjetin tip “Nissan” u gjetën dhe u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta tip “Glock” dhe 150 fishekë luftarakë, ashtu si dhe 250 euro cash.
Makina e të arrestuarve është sekuestruar gjithashtu nga blutë për të shërbyer nën cilësinë e provës materiale.
Të rinjtë akuzohen për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim.
Çështja i kaloi Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, si rezultat i hetimeve me metoda speciale, parandalon ngjarje të rënda kriminale që mund të kryheshin me armë zjarri.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Knock Out 7”, i zhvilluar nga strukturat e Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Sarandë.
Gjatë operacionit u vunë në pranga 2 shtetas që po trafikonin armë zjarri me qëllim shitjen e tyre në qytetin e Sarandës.
Sekuestrohen 10 armë zjarri pistoleta tip “Glock”, 150 fishekë luftarak për armët, si dhe automjeti me të cilin po transportoheshin.
Armët e zjarrit do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të parë nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.
Strukturat e Hetimit në DVP Vlorë dhe Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor dhe për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të armëve, si dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i disponojnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Knock Out 7”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– M. C., 24 vjeç, dhe K. O., 23 vjeç, të dy banues në Këlcyrë, Përmet.
Pas lokalizimit dhe prangosjes së këtyre shtetasve në aksin rrugor “Sarandë-Skërficë”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin M. C. dhe pasagjer shtetasin K. O. (i cili rezulton edhe i punësuar në stacionin zjarrfikës Këlcyrë), sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta tip “Glock” dhe 150 fishekë luftarak.
Së bashku me armët dhe municionin luftarak, shërbimet sekuestruan një shumë prej 250 eurosh si dhe automjetin tip “Nissan”.
Nga veprimet hetimore, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po i transportonin armët me qëllim shitjen e tyre në qytetin e Sarandës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.