Janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas kosovarë në Rinas, pasi do fusnin në Shqipëri 417.1 kg barna kontrabandë, që dyshohen se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.
Në pranga kanë rënë shtetasit:
- Bekim Zenuni, 45 vjeç
- Ferhat Zenuni, 34 vjeç
- Ardian Ismaili, 23 vjeç
- Andi Grabanica, 20 vjeç
- Altin Maqastena, 21 vjeç
Të arrestuarit kishin vendosur 1 057 840 tableta kontrabandë në 14 valixhe.
Nga kontrolli fizik të Bekim Zenunit, u gjetën 300 mijë euro të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi.
Sipas uniformave blu, nga verifikimet e kryera dyshohet se 5 të arrestuarit do të futnin në Shqipëri dhe më pas në Kosovë, barna të blera në Jordani.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar medikamentet mjekësore, shuma 300 000 euro dhe 6 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
NJOFTIM
DVP Tiranë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Transit”.
Arrestohen në flagrancë 5 shtetas kosovarë të cilët do të futnin në RSh, barna të dyshuara të kontrabanduara, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.
Sekuestrohen 1 057 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara (me peshë 417.1 kg), 300 000 euro të cilat njëri prej të arrestuarve nuk i kishte deklaruar në PKK Rinas, si dhe 6 celularë.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në aeroportin e Rinasit, në hyrje të RSh-së, do të paraqiteshin disa shtetas të cilët në bagazhet e tyre dispononin mallra kontrabandë, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transit”.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit kosovarë B. Z., 45 vjeç, F. Z., 34 vjeç, A. I., 23 vjeç, A. G., 20 vjeç, A. M., 21 vjeç.
Nga kontrolli i ushtruar në 14 valixhe (bagazhet e të arrestuarve), janë konstatuar 1 057 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara, me peshë 417.1 kg, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. Z., shërbimet e Policisë i gjetën 300 000 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se 5 të arrestuarit do të futnin në Shqipëri dhe më pas në Kosovë, barna të blera në Jordani.
Medikamentet mjekësore, shuma 300 000 euro dhe 6 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë.




